Tërheqja e Emmersonit, MD: Pagesa e ulët s’është justifikim
Ministria e Drejtësisë ka dalë me një reagim pas tërheqjes së avokatit Ben Emmerson nga mbrojtja e Kadri Veselit.
Përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook, Ministria e Drejtësisë ka thënë se personat që tërhiqen nga detyra mund të gjejnë justifikime të ndryshme, por se pagesa e ulët nuk është një prej tyre. Sipas njoftimit, Emmerson ka përfituar nga Ministria mbi 4 milionë euro.
“Avokati Ben Emmerson, i cili përfaqëson z. Kadri Veseli, ka përfituar nga Ministria e Drejtësisë një shumë prej 4,019,724.91 euro (katër milion e nëntëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e njëzet e katër euro e nëntëdhjetë e një cent). Ministria e Drejtësisë vazhdon të punojë me profesionalizëm brenda kompetencave dhe kapaciteteve të saj, për të përmbushur të gjitha kërkesat e mbrojtjes për të gjithë ata që padrejtësisht po gjykohen nga Gjykata Speciale”, thuhet në reagim.