
Tensione në samitin e NATO-s, Trump vë në dyshim rolin e Nenit 5, aleatët fokusohen te rritja e shpenzimeve
Në samitin e NATO-s aleatët janë të përkushtuar për të formalizuar një objektiv të ri ambicioz: rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen në nivelin 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto , por duket se gjithashtu ka një rritje të tensioneve dhe klime pasigurie pas retorikës së presidentit amerikan Donald Trump.
Në një bisedë joformale me gazetarët në bordin e Air Force One, Trump vuri në pikëpyetje përkufizimin e Nenit 5 të traktatit të NATO-s, dispozitës kyçe që garanton mbrojtjen kolektive të çdo vendi anëtar në rast sulmi.
“Varet nga përkufizimi. Ka disa mënyra për të përkufizuar Nenin 5”, tha Trump, duke ngritur dyshime për angazhimin e SHBA-së në rast të një konflikti në Evropë.
Komentet e tij janë interpretuar si një përpjekje për të mbajtur presion mbi aleatët për të rritur angazhimet financiare, por gjithashtu si një sinjal i mundshëm i ndryshimeve në qasjen e politikës së jashtme amerikane.
Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, u përpoq të qetësonte tensionet, duke theksuar se “nuk ka absolutisht asnjë diskutim për Nenin 5” dhe se “uniteti dhe mbrojtja kolektive mbeten themeli i NATO-s”. Ai paralajmëroi gjithashtu për një “rrezik real” nga Rusia në të ardhmen e afërt.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe presidenti i Finlandës, i cili e cilësoi NATO-n si “një sistem gjithëpërfshirës mbrojtës, që i kthehet rrënjëve të saj për të penguar Rusinë”.
Ndërkohë, kancelari gjerman Friedrich Merz theksoi se rritja e shpenzimeve për mbrojtjen nuk bëhet për të kënaqur SHBA-në, por për t’i bërë ballë realisht kërcënimeve të sigurisë.
“Ne nuk po e bëjmë këtë për Trumpin, po e bëjmë sepse duhet të bëjmë më shumë”, deklaroi ai. /rtsh/