“Tenisit i duhet brezi i ri”, Sinner “injoron” Djokovic: Respekt, por modeli im është Federer!
Jannik Sinner mbetet në qendër të vëmendjes pas titullit të fituar në Australian Open.
Italiani ishte autor i një ndeshje të madhe teksa përmbysë dy sete disavantazh ndaj Daniil Medvedev. 22-vjeçari u shndërrua në tenistin më të ri që fiton në tokën australine pas Novak Djokovic në vitin 2008.
Së fundmi, Sinner theksoi se është i lumtur që bën pjesë në kategorinë e brezit të ri në tenis, ndërsa shtoi se modeli i tij jashtë dhe brenda fushës së tenisit është Roger Federer.
“Nuk e di nëse do të mund ta thyej ndonjëherë rekordin e Djokovic në Australian Open, ai ka fituar 10 tituj këtu. Më duket e vështirë, nuk e besoj se mund ta arrij. Unë për momentin jam shumë i lumtur që po mbaj në duar trofeun e parë.
Momenti që brezi i ri të marrë në dorë botën e tenisit? Nuk mund të flas me siguri nëse ka ardhur momenti për t’u shprehur me siguri mbi këtë temë pasi e ardhmja nuk parashikohet. Por, jam i lumtur që jam pjesë e brezit të ri, tenisit i duhet dhe ka nevojë për ndryshimin e gjeneratave.
Modeli im? Ka qenë gjithmonë Roger Federer. Jo vetëm për klasin e tij në lojë, por edhe për mënyrën se si ai e prezanton veten”, u shpreh Sinner.