Tenderi i dyshimtë për avokatin Isuf Zejna, Nagip Krasniqi e përfshin një profesor të UP-së

Tenderi i dyshimtë për avokatin Isuf Zejna, Nagip Krasniqi e përfshin një profesor të UP-së

Nagip Krasniqi ka thënë se miku i tij, profesori i Universitetit të Prishtinës dhe bashkëthemeluesi i organizatës joqeveritare GLSP, Fisnik Korenica, i ka rekomanduar atij angazhimin e avokatit Isuf Zejna si konsulent ligjor për Korporatën Energjetike të Kosovës.

Ish-kryeshefi i KEK-ut, në dëshminë e tij para prokurorëve specialë, ka deklaruar se rekomandimin për angazhimin e studios ligjore të Isuf Zejnës për konsulencë ligjore e ka marrë nga “miku i tij Fisnik Korenica dhe nga BE-ja”.

Korenica, një profesor i asocuar i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, është bashkëthemelues i Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), një organizatë e shoqërisë civile.

Bashkëthemeluesi i kësaj organizate, Dren Doli, në fillim të janarit të vitit 2022 ishte emëruar ambasador i Kosovës në Holandë, me propozimin e qeverisë së udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.

Si Krasniqi ashtu edhe Zejna akuzohen nga Prokuroria Speciale për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar për kontratën e lidhur mes KEK-ut dhe studios ligjore “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, në vlerë 60 mijë euro.

Share This