Temperaturat e larta shtojnë numrin e pacientëve në QKMF
Temperaturat e larta të ditëve të fundit në Kosovë, kanë ndikuar që të shtohet edhe numri i pacientëve të cilët kërkojnë ndihmë në Qendrat e Mjekësisë Familjare. Ekspertët shëndetësorë apelojnë që gjatë këtyre ditëve, qytetarët të mos ekspozohen në diell dhe të kenë kujdes me konsumimin e ushqimit.
Temperaturat e larta që po mbizotërojnë këtyre ditëve në vendin tonë, ndikojnë negativisht në shëndetin e të gjithë njerëzve, por padyshim që grupmoshat më të prekura janë fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike, thotë mjekja specialiste në Qendrën e Mjekësisë Kryesore Familjare në Prishtinë, Albana Morina. Sipas saj, këtyre ditëve është shtuar edhe numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore si pasojë e temperaturave të larta.
“Simptomat më të shpeshta që u shfaqën pacientëve nga temperaturat e larta janë kokë dhembja, skuqja e lëkurës, vjellja dhe lodhja. Simptomat mund të shfaqen edhe te secili person që ekspozohet në temperaturë të lartë dhe për ketë arsye, qytetarët duhet t’i evitojnë daljet në periudha kur ka temperatura të larta”, tha ajo për Radio Kosovën.
Edhe disa qytetarë i kanë thënë Radio Kosovës se këtyre ditëve, mezi po i përballojnë temperaturat e larta.
“Temperaturat e larta po na mundojnë shumë këtyre ditëve”. “Po ruhemi, s’po dalim kur është i nxehti i madh. Më shumë po qëndrojmë brenda këtyre ditëve se shumë nxehtë, po i ndjekim hijet”. “Duhet me pas kujdes ata që janë në moshë sepse dielli ndikon negativisht tek ata”, thanë qytetarët.
Ndërsa edhe specialisti i Mjekësisë Emergjente, Basri Lenjani, thotë për Radio Kosovën se temperaturat e larta, kanë ndikim negativ te personat e moshuar, mbi 65 vjeç e sidomos te personat që vuajnë nga sëmundjet e ndryshme kronike, e po ashtu edhe gratë shtatzëna, fëmijët si dhe punëtorët të cilët punojnë në ndërtimtari dhe bujqësi. Ndërkaq, edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, u ka bërë apel qytetarëve që gjatë temperaturave të larta në ditët e fundit në Kosovë, të mos ekspozohen dhe të kujdesen për sigurinë e ushqimit që e konsumojnë.