Televizioni amerikan: Shqipëria, mes pesë vendeve europiane më mikpritëse për qytetarët nga SHBA

Televizioni amerikan: Shqipëria, mes pesë vendeve europiane më mikpritëse për qytetarët nga SHBA

Shqipëria rendit mes pesë destinacioneve europiane më mikpritëse për qytetarët amerikanë jo vetëm për turizëm, por edhe për të jetuar.

Cepee Tabibian, eksperte për lëvizjet jashtë vendit në artikullin e saj publikuar në faqen zyrtare të televizionit amerikan CNBC e ka renditur Shqipërinë mes Spanjës, Portugalisë, Francës dhe Holandës.

Sipas saj, kjo përzgjedhje bazohet në disa kritere duke nisur nga vizat e përshtatshme për të udhëtuar, koston e ulët të jetesës dhe një klimë sociale të hapur.

Ekspertja amerikane thekson se prania e komuniteteve të huaja dhe njohja e gjuhës angleze ndihmojnë gjithashtu në një integrim më të lehtë për qytetarët amerikanë, faktorë që i bëjnë këto destinacione europiane ideale për një fillim të ri jashtë SHBA-së.

Nëse doni që rifillimi nga e para të duket më pak i mundimshëm, kërkoni vende që plotësojnë shumicën e këtyre kritereve, shton ajo, duke përmendur 5 vendet europiane mes të cilave edhe Shqipërinë.

“Shqipëria u lejon shtetasve amerikanë të qëndrojnë deri në një vit pa vizë. Me një hyrje të lehtë dhe kosto të ulët jetese, ajo është perfekte për punonjësit në distancë që kanë një buxhet të kufizuar. Shumë amerikanë jetojnë në Tiranë, ku komuniteti i të huajve është i fortë dhe anglishtja flitet gjerësisht. Por Riviera shqiptare nuk duhet anashkaluar; bregdeti i saj përgjatë detit Jon ka disa nga plazhet dhe peizazhet më të bukura në të gjithë Europën. Shumë amerikanë e përdorin Shqipërinë si një pikënisje duke qëndruar nga një deri në katër vjet përpara se të zhvendosen në destinacionin e tyre të radhës”, thuhet në artikullin e publikuar në televizionin amerikan. /atsh/

Share This