Tebas bën ironi me Superligën: Vetëm Jezusi bën mrekulli
Javier Tebas ka qenë gjithmonë ndër më skeptikët ndaj Superligës Evropiane.
E tani pas vendimit të Gjyatës Evropiane të Drejtësisë, është treguar i ashpër pas publikimit të projektit të “A22 Sports”.
Në një intervistë për “Gazzetta dello Sport” ai thotë me shumë siguri se Superliga nuk do të bëhet edhe për 100 vitet e ardhshme, e aq më tepër të transmetohet falas.
“Superliga nuk do të ndodhë në 100 vitet e ardhshme, ndërsa fakti që ndeshjet të transmetohen të gjitha falas nuk do të ndodhë as për 1000 vjet. Unë jam shumë besimtar dhe mund të them se mrekullitë i ka bërë vetëm Jezusi, dhe jo drejtori i ‘A22 Sports’. Emri i të cilit nuk më kujtohet asnjëherë”, tha ai.
Presidenti i La ligës ka shpjeguar më tej se e quan një fantashkencë idenë e “A22 Sports” dhe ideatorët e tij të çuditshëm, që mendojnë se në kohët e sotme të mund të premtojnë publikisht në mbarë botën se do të transmetojnë ndeshje falas.
“Kam menduar gjithmonë se drejtuesit e ‘A22 Sports’ duhet të kenë qenë në një lokal nate, rreth orës 4 të mëngjesit, dhe jo të kthjellët mendërisht, kur kanë ideuar këtë projekt të çuditshëm me ide të çuditshme. Sepse në ditët e sotme është ekonomikisht e pamundur të transmetosh futbollin falas. Nëse dikush di diçka për të drejtat audiovizive nuk mund të thotë diçka të tillë. Tani të drejtat televizive kapin vlerën e 13 miliardë eurove dhe këtu po flasim për transmetimin e gjithçkaje falas. Kjo është absurde”, deklaron Tebas.