Të paktën katër të vrarë dhe tre të plagosur pas sulmi të fundit rus
Të paktën katër persona mbetën të vrarë dhe tre të tjerë u plagosën pas një sulmi rus mbrëmjen e djeshme në kryeqytetin ukrainas, Kiev, thanë sot zyrtarët.
Ministri i Jashtëm i vendit e quajti sulmin rus me raketa balistike “të neveritshëm”.
“Ndërsa një sulm tjetër gjatë natës plagosi 10 persona, në qytetin jugor të Zaporizhias”, tha guvernatori rajonal.
Kievi është shënjestruar shpesh nga dronët dhe raketat ruse, por vdekjet janë të rralla në kryeqytet, i cili mbrohet nga sisteme të mbrojtjes ajrore dhe është më i aftë për të shmangur sulmet kudo në vend.
“Tashmë janë raportuar katër të vdekur në rrethin Shevchenkivsky”, tha Tymur Tkachenko, kreu i administratës ushtarake të Kievit, në një postim në Telegram, duke iu referuar një zone qendrore të kryeqytetit.
“Kjo është një dëshmi tjetër se Putini dëshiron luftë, jo paqe”, tha ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiga në një postim në media sociale.
“Ai duhet të detyrohet të pranojë paqen e drejtë përmes forcës – presionit maksimal ekonomik dhe ushtarak”, shtoi ai.
Forcat ajrore ukrainase thanë se kishin rrëzuar dy raketa balistike “Iskander”, si dhe 24 dronë sulmues rusë gjatë natës.
“Raketat e rrëzuara “ranë” në lagjen qendrore Shevchenkivsky të Kievit, duke dëmtuar një ndërtesë industriale, një metro dhe disa ndërtesa banimi – duke ndërprerë përkohësisht furnizimet lokale të ujit, thane forcat ajrore.
Sulmi erdhi në një kohë kur Kievi rriti sulmet e tij ajrore ndaj objekteve energjetike dhe ushtarake ruse, në muajt e fundit.
Ushtria e Kievit ka kryer sulme në disa depo nafte në Rusi, kohët e fundit, duke përfshirë dy sulme të mëdha në një objekt pranë një aeroporti ushtarak në rajonin e Saratovit të Rusisë që shkaktuan zjarre prej disa ditësh. /atsh/