Të paktën 33 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazën veriore
Të paktën 33 njerëz u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën nga sulmet izraelite që kishin në shënjestër disa shtëpi në një shesh të premten në Xhabalia, kampi më i madh i refugjatëve në Rripin e Gazës, thanë ekipet mjekësore në këtë zonë.
Banorë të këtij kampi thanë se tanket hodhën në erë rrugë dhe shtëpi ndërsa vazhdojnë të avancojnë më tej në territorin palestinez.
Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve WAFA tha se të paktën 20 gra dhe fëmijë ishin në mesin e të vrarëve. Mjekët thanë se të paktën 85 persona të tjerë u plagosën. Autoritetet izraelite ende nuk kanë bërë komente për sulmin.
Para sulmeve të reja, autoritetet shëndetësore në Rripin e Gazës thanë se të paktën 39 palestinezë, 20 prej tyre në Xhabalia, ishin vrarë nga sulmet ushtarake izraelite në të gjithë Gazën të premten.
Banorët e kampit Xhabalia në Gazën veriore thanë se tanket izraelite kishin arritur në qendër të kampit, të ndihmuara nga artileria e rëndë dhe sulmet ajrore.
Ata shtuan se ushtria izraelite po shkatërronte dhjetëra shtëpi në ditë, nga ajri dhe toka.
Ushtria izraelite tha se forcat e saj, të cilat kanë operuar në Xhabalia në dy javët e fundit, vranë dhjetëra militantë gjatë luftimeve të enjten dhe kryen sulme ajrore, duke shkatërruar infrastrukturën ushtarake të militantëve palestinezë.
Më vonë të premten, banorët në Xhabalie dhe dy qytete aty pranë thanë se komunikimet dhe shërbimet e internetit ishin ndërprerë, duke shkaktuar edhe ndërprerjen e operacioneve të kërkim-shpëtimit nga ekipet mjekësore të ambulancave dhe aftësinë e njerëzve të prekur nga operacionet izraelite për të kërkuar ndihmë.
Përshkallëzimi i operacionit izraelit në Xhabalia vjen një ditë pasi autoritetet izraelite njoftuan se ushtria izraelite kishte vrarë udhëheqësin e Hamasit, Yahya Sinwar. Ai konsiderohej armiku numër një i Izraelit, sepse akuzohej se ishte arkitekt i sulmit të 7 tetorit 2023 në Izraeli jugor, më vdekjeprurësi në historinë e konfliktit mes Izraelit dhe palestinezëve.
Ushtria izraelite thotë se operacioni i saj në Xhabalia synon të frenojë rigrupimin e luftëtarëve të Hamasit dhe kryrjen e sulmeve të reja ndaj Izraelit.
Izraeli ka goditur vazhdimisht kampet e refugjatëve dhe shkollat që strehojnë personat e zhvendosur në Rripin e Gazës. Ushtria izraelite thotë se kryen sulme të sakta ndaj militantëve dhe përpiqet të shmangë viktimat mes civilëve, por në sulmet e saj shpesh vriten gra dhe fëmijë.
Lufta e tanishme në Rripin e Gazës filloi pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 në Izraelin jugor, në të cilin u vranë 1200 njerëz dhe rreth 250 të tjerë u morën peng.
Më shumë se 42,000 palestinezë janë vrarë në ofensivën ushtarake izraelite deri më tani, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës. /Voa