
Të gjithë 242 personat që ndodheshin në aeroplanin e rrëzuar në Indi kanë vdekur
Të gjithë personat që ndodheshin në aeroplanin e kompanisë “Air India”, i cili u rrëzua të enjten, kanë vdekur, raporton gazeta lokale “Indian Express”, duke e cituar policinë.
Aeroplani i rrëzuar kishte motorë të prodhuesit “GE Aerospaces”. Vlera e aksioneve të kompanisë ra për rreth 5 për qind, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Sipas një raporti të televizionit “CNN News-18”, aeroplani ra mbi zonën e ngrënies të bujtinës së Kolegjit Mjekësor B.J., duke lënë të vdekur shumë studentë të mjekësisë që ndodheshin brenda objektit.
Ekspertët thonë se aksidentet ajrore shkaktohen nga shumë faktorë që bëhen bashkë dhe se është ende shumë herët që të spekulohet për shkaktarin e rrëzimit të aeroplanit të kompanisë “Air India”.
Sipas rregullave globale të aviacionit, aksidenti do të hetohet nga agjencia indiane për aksidente ajrore, me përkrahje automatike nga Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit në Shtetet e Bashkuara, ku janë dizajnuar dhe prodhuar motorët GE të aeroplanit.
Duke u mbështetur në raportet e aksidenteve të mëparshme, hetuesit me gjasë do t’i analizojnë disa faktorë, përfshirë historinë e fluturimit, gjendjen e mbetjeve, përfshirë motorin, të dhënat e mirëmbajtjes dhe veprimet e ekuipazhit, si dhe të dhënat nga kutitë e zeza, gjetja e të cilave do të jetë njëri nga prioritetet kryesore