
Takimi Trump-Putin, diplomati i lartë rus: Nuk ka vend për gabime
Pas bisedës telefonike të zhvilluar pak ditë më parë mes dy presidentëve Donald Trump dhe Vladimir Putin, Moska dhe Uashingtoni po përgatiten për samitin që do të mbajnë së shpejti.
Zv.ministri i jashtëm rus, Sergey Ryabkov deklaroi se kujdesi në përgatitjet e takimit të mundshëm Trump-Putin duhet btë jetë i madh, pasi rreziqet mund të jenë të larta dhe se çdo hap i gabuar do të ishte katastrofik.
“Deri tani, e tëra që kemi është një mirëkuptim në parim, për të cilin foli presidenti. Ne duhet të përgatitemi siç duhet për këtë takim. Nuk ka vend për gabime ose, për më tepër, për dështimin e ngjarjes. Përgatitjet këtu janë të ndërlikuara – së pari vjen përmbajtja, pastaj vendi”, tha ai.
Diplomati i lartë specifikoi se është edhe më e parakohshme të flitet për ndonjë datë specifike për samitin, i cili në fokus të tij pritet të ketë përfundimin e luftës Rusi-Ukrainë.
Më parë, ndihmësi presidencial rus, Yury Ushakov, tha se presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij amerikan Donald Trump janë të dy të interesuar të takohen në të ardhmen, por duan që bisedimet e tyre të jenë produktive.
Sipas zyrtarit, krerët e shteteve ende nuk kanë rënë dakord për një datë ose vend specifik për takimin e tyre të mundshëm.
Katër ditë më parë, presidenti Donald Trump dhe ai rus Vladimir Putin biseduan për më shumë se dy orë përmes linjës telefonike. Kremlini dhe Shtëpia e Bardhë shpjegoi se Moska kishte shprehur gatishmërinë të punonte drejt një zgjidhje që do t’i jepte fund luftimeve në Ukrainë.
Putina u shpreh në bisedën telefonike se Rusia ishte në favor të një zgjidhjeje paqësore dhe se kompromiset do të duhet të gjenden në atë mënyrë që i përshtaten të dyja palëve. /rtsh/