Tahiri: Qeveria do ta lë në kaos administratën e shtetit
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka reaguar për mos korrigjimin e Ligjit për Paga në Sektorin Publik, i cili ishte kthyer mrapsht nga Gjykata Kushtetuese.
“Sot, kur kanë kaluar mbi gjashtë muaj që Gjykata Kushtetuese i kishte dhënë afat qeverisë për t’i korrigjuar këto shkelje, kjo qeveri vazhdon që pasivisht t’i afirmojë shkeljet e veta, sepse nuk ka asnjë interes të bëjë diçka ku nuk sheh hapësirë për ndëshkim dhe penalizim të sektorit publik. Kjo qeveri e nisi me shkelje, dhe do ta përmbyllë duke lënë pas kaos në administratë të shtetit”, ka shkruar Tahiri.
Tutje ai ka bashkëngjitur edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese në llogarinë e tij në Facebook, ku shihet se Kuvendi i Kosovës kishte gjashtë muaj kohë, për përmirësimin e mospërputhshmërive ligjore, raporton rtk.