Tahiri e ashpër me Kurtin: E rrëzoi Kosovën në dy gjunjë
Edita Tahiri, ish-kryenegociatore e Kosovës në dialogun me Serbinë në Bruksel, ka adresuar kritika të ashpra ndaj qeverisjes së tanishme.
Sipas Tahiri, sfida kryesore e kryeministrit Albin Kurti është Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
“Në fakt Asociacioni është një prej sfidave kryesore për Kurtin, sepse ai ka ardhur në pushtet duke e kundërshtuar atë dhe tani i ka ardhur koha që ta zbatojë, që drafti të shkojë në Kushtetuese, siç e kërkoi edhe presidentja e Komisionit Evropian, që nuk e tha në mënyrë eksplicite por tha që për t’i hequr sanksionet Kosova ka shumë punë për të bërë dhe dihej që fliste për Asociacioni dhe ajo pasi shkoi, Kosova është që 1 vit nën sanksione dhe po vazhdon, dhe sapo ajo shkoi filluan me deklarata Kurti e Konjufca, filluan ta lëvdojnë. Dikur vet Glauku kishte thënë se ishte i mirë, pastaj jo nuk është i mirë, pastaj prapë janë kthyer se është i mirë. Me këto deklarata janë të vetëdijshëm se duhet të zbatohet por nuk duan ta zbatojnë deri pas zgjedhjeve, sepse dihet që do t’i kushtojë me humbje në zgjedhje, por sido që të jetë Kurti është kryeministër, obligimet shtetërore janë sikur kanë qenë edhe për neve”, është shprehur Tahiri.
Në një prononcim për “Blic”-in, Tahiri ka pasur një vlerësim të ashpër për qeverisjen e Kurtit, duke thënë se e ka rrëzuar “Kosovën në dy gjunjë”.
“Duke mos i plotësuar ato, Kurti në fakt e rrëzoi Kosovën në dy gjunjë. Me disa fakte, e para Kosova është e izoluar që 1 vit e ndëshkuar, kjo qeveri asnjë njohje s’ka sjellë për 4 vite, pastaj Kurti thotë se ka shtrirë sovranitetin në veri, ndërkohë që fare nuk ka institucione shtetërore në veri, nuk janë gjykatat e Kosovës, Policia e pakompletuar sepse ka vetëm përbërje shqiptare dhe duhet të ketë edhe serbe. Pastaj kemi dhe çështjen që nëse Kurti paska pasur sovranitet në veri, pse ka lejuar krijimin e grupi terrorist në Banjskë dhe të armatoset, kur ti ke sovranitet ti e mbron shtetin dhe nuk lejon të ndodhin, siç ndodhi edhe sulmi. Obligimi i Kurtit është që t’ua shpjegojë qytetarëve se pse edhe ndodhi sulmi në Banjskë, edhe u ndëshkuam dhe sot e kësaj dite kjo mbetet enigmë”, ka vlerësuar Tahiri.