Szunyogu te Kurti në takim lamtumirës: Kosova t’i përshpejtojë reformat për rrugën drejt BE-së
Kryeministri Albin Kurti ka mirëpritur në takim lamtumirës shefin e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.
Në një bisedë të hapur e miqësore, kryeministri Kurti falënderoi ambasadorin Szunyog për bashkëpunimin e mirë dhe për përfshirjen dhe kontributin e tij përgjatë gjithë mandatit në diskutimet e brendshme dhe ato publike.
Kryeministri veçoi dorëzimin në vitin 2022 të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, liberalizimin e vizave në vitin 2024, nivelin e lartë të përmbushjes së Agjendës e Reformave Evropiane (ERA 2) dhe vlerësimet pozitive në raportin e vendit për vitin 2022, si disa prej arritjeve të Kosovës në fushën e integrimit evropian, lëvizjes së lirë dhe reformave evropiane që janë shënuar gjatë mandatit të ambasadorit Szunyog.
U theksua gjithashtu bashkëpunimi i mirë dhe mbështetja e rëndësishme e Bashkimit Evropian për Kosovën në ballafaqim me pandeminë Covid-19 dhe në tranzicionin energjetik.
Kryeministri Kurti i uroi ambasadorit Szunyog suksese në angazhimet e tij të radhës.
Ambasadori Szunyog mori detyrën e shefit të zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së më 1 shtator 2020.