Sylvinho për UEFA-n: I dimë aftësitë tona, po përmirësohemi
Ish-mbrojtësi i majtë brazilian, Sylvinho, mori një vendim të papritur duke pranuar detyrën e kombëtares shqiptare në janar të vitit 2023, por nuk ka pse të pendohet.
Pasi udhëhoqi ekipin e tij në UEFA EURO 2024, ish-lojtari i Arsenalit, Barcelonës dhe Manchester Cityt mori një dekoratë zyrtare nga presidenti i Shqipërisë. Ai shpjegoi se si ai dhe stafi i tij prej kohësh (përfshirë ish-mbrojtësin e djathtë të Cityt, Pablo Zabaleta dhe ish-mesfushorin brazilian Doriva) u gjendën në Tiranë.
“Ishte si një martesë, një zgjedhje e ndërsjellë. Më pëlqeu shumë projekti, u interesuan për ne si staf teknik, me Dorivën dhe Zabaletën: të rinj që kanë shumë dëshirë për të bërë mirë. Në Shqipëri flasin shumë italisht. Kuptova se mund të kaloja mirë mes italishtes dhe anglishtes. Shqiptarët e vlerësojnë futbollin teknik, me lojtarë që bëjnë ndeshje të shkëlqyera. Ata e pëlqejnë futbollin e mirë, kështu që më dha vetëdijen për të thënë: ‘Po, mund të punoj shumë mirë këtu’”.
“Jemi amerikano-jugor, por edhe shumë europianë. Pablo kaloi dhjetë vjet në Premier League. Kam luajtur edhe pak në Premier League, në Spanjë për një kohë të gjatë; në Itali kam punuar me Roberto Mancinin. Doriva luajti në Itali dhe Portugali. Ekipi ynë është multikulturor”.
PËR ASLLANIN DHE ASANIN – “Kristjan është një lojtar shumë i talentuar teknikisht, shumë i mirë me të dyja këmbët. Ai është i aftë të luajë në të dyja krahët. Është teknik, i ri dhe po bën rrugën e tij. Ai ka ende shumë për të mësuar, si çdo lojtar 21 apo 22 vjeçar. Është shumë i fortë, për nga teknika por edhe për nga personaliteti. Është një lojtar i jashtëzakonshëm”.
“Ne zgjodhëm Asanin në Korenë e Jugut. Ai është një lojtar me këmbë të majtë që luan në të djathtë dhe futet nga brenda, gjë që na pëlqen. Shënon gola të rëndësishëm, si ato kundër Polonisë dhe Moldavisë. Është një lojtar me cilësi të madhe, me një gjuajtje të fuqishme nga distanca. Po jep maksimumin në kombëtare”.
AMBICIET PËR “EURO 2024” – Për të qenë i sinqertë është e mrekullueshme. Të gjithë kemi bërë një punë të shkëlqyer. Përveç Pablos dhe Dorivës, ka shumë staf dhe njerëz nga FSHF që punojnë shumë. Të gjitha këto i bëjmë bashkë. Bëmë diçka të jashtëzakonshme: arritëm në EURO. Ndjesitë që mbizotërojnë janë entuziazmi dhe lumturia”.
“Kemi arritur deri këtu, i dimë aftësitë tona, po përmirësohemi. Do të jetë një sfidë e vërtetë. Çfarëdo që të ndodhë, ne do të punojmë shumë. Ndeshjet do të jenë fantastike, por të vështira dhe nëse arrijmë të mposhtim kundërshtarët tanë, do të dëshirojmë të vazhdojmë në atë rrugë. Po bëjmë mirë, por nëse mund të bëjmë një hap përpara do të jetë edhe më mirë”.