Sylvinho, një sukses shumëgjuhësh
Trajneri i Kombëtares kuqezi, Sylvinho, vijon të jetë një personazh në qendër të vëmendjes së mediave ndërkombëtare dhe, së fundmi, është rrjeti i njohur ndërkombëtar, ESPN, nëpërmjet degës së tij në Brazil, që ka realizuar një intervistë interesante me njeriun që udhëhoqi Shqipërinë drejt fazës finale të “Euro 2024”-ës.
“Presidenti i Federatës, Armand Duka, ishte në Milano dhe, përmes një miku të përbashkët, më ftoi për darkë”, – ka rrëfyer braziliani, duke zbuluar hollësi interesante për takimin e parë me kreun e organizmit që qeveris futbollin shqiptar në muajt e fundit të 2022-shit.
“Unë jetoja në Porto me familjen time, kështu që shkova në Milano dhe kaluam një mbrëmje të këndshme dhe patëm një bisedë të frytshme”, – ka pohuar ai, duke vijuar: “Nuk e prisja, në fakt, sepse isha përgatitur të flisnim në anglisht, por biseda u bë në italisht. Por pastaj e kuptova, gjatë procesit të zyrtarizimit, në 7 deri në 10 ditët që vijuan, se në FSHF flitej anglisht po aq sa edhe italisht.” Dhe që nga ai takim i parë Silvinjo kishte nisur të mendonte të zhvendosej në Tiranë, një qytet me mbi 900,000 banorë dhe më i vogël se zona lindore e São Paulos, ku ai kishte luajtur për Korinthiansin.
Fëmijët e tij ishin tashmë në kolegj dhe bashkëshortja vijon të jetojë në Porto. Por trajneri e ndjeu se ishte thelbësore për të që përjetojë jetën e përditshme të vendit dhe vetë Federatës, në mënyrë që të përfshihej plotësisht dhe të rrokte më së miri atë që ishte realiteti i tij i ri.
Në fakt, Silvinjo zbulon se vendimi për të jetuar në Tiranë e gjeti të papërgatitur dhe e habiti edhe presidentin e FSHF-së, ndërsa artikulli i ESPN-it veçon faktin se një nga faktorët e suksesit të trajnerit brazilian në stolin kuqezi është edhe fakti se flet disa gjuhë.
Ai flet portugalisht, spanjisht, anglisht dhe italisht, ndërsa ka nisur të bëjë hapat e parë në gjuhën shqipe. Madje, ai këmbëngul që gjithmonë, bisedën e fundit para çdo ndeshjeje, ta bëjë nëpërmjet një personi që flet shqip, që zakonisht është Ervin Bulku apo Hamdi Salihi. Tashmë vështrimi është hedhur drejt Gjermanisë, aty ku historia e pret brazilianin dhe Shqipërinë e tij.