
Sylvinho: Ne ‘Wembley’ nuk është lehtë të kërkosh fitore
Trajneri i Shqipërisë, Sylvinho pas humbjes nga Anglia, ka thënë se nuk është lehtë të luash në ‘Wembley’ dhe të kërkosh fitore.
Kuqezinjtë u mundën nga ‘Tre Luanët’ (2-0), të premten mbrëma në ndeshjen e parë të kualifikimeve për Botërorin 2026/
“Ne e kemi studiuar Anglinë. Është një nga ekipet më të forta në botë. Ata kanë dy qendërmbrojtës të fortë, u munduam me Uzunin të gjenim hapësira. Ishte e vështirë sepse janë një skuadër shumë, shumë e fortë”, tha ai.
“U përmirësuam në pjesën e dytë, por këtu është një fushë e vështirë. Mendoj se kemi bërë atë që menduam dhe arsyetuam. Është vetëm ndeshja e parë, nuk është e lehtë të vish në Wembley dhe të kërkosh të fitosh. Nëse nuk hyn në fushë i organizuar, mund të pësosh edhe 5 gola. Në momentin që u aktivizua Broja, mund të ishim afruar me barazimin por ata shënuan të dytin dhe fituan. Mendoj se kemi gabuar në pasimin e parë për të dalë nga zona”, ka pohuar Sylvinho.
Shqipëria pas dy ditësh luan ndeshjen e radhës kundër Andorrës në Tiranë.