Sylvinho, mes lajmeve të mira e të këqija
Periudha nga tani deri në nisje të Evropianit është edhe një sprovë durimi për trajnerin e Kombëtares, Sylvinhon, i cili shpreson ta ketë grupin të plotë në qershor.
Megjithatë, një lajm jo i mirë ka ardhur të mërkurën, pasi kapiteni i Shqipërisë, Berat Gjimshiti i është shtuar listës së lojtarëve të dëmtuar te skuadra e Atalantës.
Ekipi i Serisë A do të jetë të paktën disa javë pa Gjimshitin, i cili u dëmtua në ndeshjen e fundit në kampionat, raporton “Sky Sport Italia”.
Gjimshiti dëmtoi muskulin e këmbës së majtë dhe u largua në minutën e 19-të në ndeshjen kundër Torinos, të cilën Atalanta e humbi me rezultatin 0-3.
Për rikthimin e Gjimshitit nuk është dhënë një datë e saktë, por thuhet se ai pritet të jetë në dispozicion të trajnerit Xhan Piero Gasperini pas pushimit të Vitit të Ri, pra në fillim të muajit janar. Mbrojtësi 30-vjeçar, ka luajtur 18 ndeshje për Atalantën në të gjitha veprimtaritë këtë edicion, ndërsa ka shënuar edhe një gol. Ndërkaq, një tjetër mbrojtës kuqezi po rikthehet pas dëmtimit dhe ai është edhe Marash Kumbulla, për të cilin mund të ketë një risi të rëndësishme këtë fundjavë.
Lojtari është stërvitur rregullisht me ekipin këto ditë dhe në videon e postuar në rrjetet sociale nga klubi, fokusi ka qenë edhe mbi futbollistin kuqezi i cili ishte pjesë e të gjitha ushtrimeve si shokët e skuadrës. Mediat pranë klubit insistojnë se trajneri Murinjo po mendon që të mbajë Kumbullën në stol për ndeshjen e kësaj fundjavë, që është shumë e rëndësishme për Romën, pasi e vendos përballë Fiorentinës.
Të dy skuadrat kanë synime të luftojnë për një vend në Ligën e Kampioneve dhe një rezultat pozitiv do të ishte shumë i rëndësishëm për verdhekuqtë. Një lajm i mirë ky në krahun tjetër edhe për Kombëtaren kuqezi.