Sylvinho: Jemi gati, do të japim gjithçka ndaj Spanjës
Në prag të ndeshjes vendimtare ndaj Spanjës në Grupin B të Euro 2024, trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, shpreh entuziazmin dhe vendosmërinë e ekipit për të luftuar për kualifikimin tutje.
Në konferencën zyrtare për media para kësaj ndeshje, Sylvinho ndau mendimet e tij për ndeshjen që do të zhvillohet nesër, duke theksuar rëndësinë e përballjes me një nga skuadrat më të mira në botë.
Emocioni i mundësisë për kualifikim
“Është emocionuese. Është e rëndësishme për familjen time. Për mua është fantastike. Spanja është skuadër brilante, do të jetë një ditë që nuk do ta harroj. Kemi përfunduar në grupin e vdekjes dhe tani na jepet një mundësi shumë e madhe kundër një prej skuadrave më të mira në botë”, tha Sylvinho, duke shprehur emocionet e tij për mundësinë historike të kualifikimit.
Spanja dhe formacioni i dytë
Sylvinho theksoi se formacioni i dytë i Spanjës nuk e ul aspak nivelin e sfidës. “E dini më mirë se unë që Spanja e ka në ADN-në e saj zotërimin e topit, ka shumë cilësi në mesin e fushës. Ka diçka tjetër, lojtarë shumë të mirë në krahë. Kanë shumë cilësi edhe në mbrojtje, të lejojnë shumë pak hapësira, janë të organizuar. Ka fituar me Kroacinë dhe Italinë, ka fituar grupin, për ne do të jetë ndeshje shumë e vështirë. Edhe ne kemi lojtarë të mirë, mezi presim të luajmë kundër Spanjës”, tha ai.
Analizimi i Spanjës
Kur u pyet për ndeshjen Spanja-Itali, Sylvinho tregoi se kishte shkuar ta shihte personalisht. “Kam shkuar me Zabaletën, diçka e planifikuar, një ditë pas ndeshjes sonë. I njohim të gjithë kundërshtarët tanë, është një skuadër që impresionon, ka lojtarë shumë të mirë. De la Fuente ka bërë një punë shumë të mirë, sulmon dhe mbrohet shumë mirë. Në kualifikuese ka humbur vetëm një ndeshje kundër Skocisë. Lojtarët e mi janë të guximshëm dhe do të japin gjithçka në këtë ndeshje të fundit. Çdo gjë mund të ndodhë gjatë 90 minutave, do të futemi në fushë për të bërë më të mirën”, tha Silvinho.
Përmirësimi i Kombëtares dhe përvoja në Evropian
Sylvinho pranoi se ekipi ka bërë përparime të mëdha, por ende ka hapësirë për përmirësim. “Është diçka e madhe të shënosh i pari, ky është eveneti i dytë i madh dhe lojtarët po përmirësohen. Ka të bëjë me përvojën dhe ballafaqimet në gara të mëdha dhe me skuadra të mëdha. Duhet të vazhdojmë të përmirësohemi, në menaxhimin e fazave të lojës. Nëse do të bëjmë performancën më të mirë, mund të arrijmë rezultatin e duhur”, tha ai.
Optimizmi për kualifikimin historik
Trajneri u shpreh krenar për përpjekjet e ekipit dhe e quajti një arritje të madhe që janë ende në garë për kualifikim. “Jam i lumtur, patjetër, shumë njerëz para pesë muajsh kanë menduar se do të pësojmë katër pesë gola, e ndeshja e fundit s’do të kishte asnjë vlerë. Jam i lumtur për punën që kemi bërë dhe që jemi në këtë grup të vdekjes. Jam i kënaqur me lojtarët e mi, kemi bërë çdo gjë që kemi mundur. Vazhdojmë të ëndërrojmë”.
Ndeshja më e rëndësishme e karrierës
Sylvinho pranoi se ndeshja ndaj Spanjës mund të jetë më e rëndësishmja e karrierës së tij si trajner. “Jam ende i ri, është një ndeshje me shumë rëndësi dhe nuk do ta harroj. Luajmë kundër Spanjës së vendit të parë. Jam gjysmë spanjoll gjysmë brazilian. Nëse kjo ndeshje është më e rëndësishmja, situata mund ta bëjë të tillë. Pas barazimit me Kroacinë ishte ajo, ndoshta mund të bëhet tani kjo me Spanjën”, tha Silvinho.