Sylvinho: Do të jemi gati për të përballuar Evropianin
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, ka folur të dielën në konferencën për media, në prag të ndeshjes miqësore që Shqipëria do të zhvillojë të hënën ndaj Lihtenshtejnit në stadiumin “Haladás Sportkomplexum” në Hungari, në ora 20:00.
Sylvinho foli për gjendjen e skuadrës dhe theksoi se atmosfera është shumë e mirë. Gjithashtu tekniku kuqezi tha se lojtarët gëzojnë formë të mirë fizike dhe se e rëndësishme është që të gjithë të japin maksimumin, për t’u përgatitur sa më mirë për finalet e Kampionatit Evropian “Gjermani 2024”.
“Këtu është një atmosferë shumë e mirë. Donim që këtë grumbullim ta nisnim në Tiranë, me qëllimin edhe për të ndjerë pak atmosferën dhe entuziazmin e madh që kanë njerëzit. Nisja për në Austri ishte diçka shumë e bukur. Këtu në Austri jemi larg Shqipërisë, një ambient i mirë për të punuar, për t’u përgatitur sa më mirë për Evropianin. Kemi 3-4 ditë që kemi nisur këtë fazë përgatitore. Kemi lojtarë si Seferi, i cili luajti ndeshjen e fundit më 29 maj dhe u bashkua me ekipin në ditën e parë të grumbullimit në Austri. Kemi Abrashin që luajti më 31 maj dhe mbrëmë u bashkua me grupin, ndërsa Gjimshiti ka edhe një ndeshje dhe do bashkohet nesër me ne. Po përgatitemi sa më mirë për finalet, për Euro 2024. Kam parë te skuadra motivimin e duhur. Ajo që nuk mungon është motivimi te lojtarët. Kjo është diçka shumë e bukur”, ka thënë Sylvinho.
“Do të luajmë në një turne që është i shpejtë, dinamik dhe ne do të shkojmë në këtë drejtim. Sigurisht e dimë që kemi lojtarë që vijnë në këtë grumbullim në situata të ndryshme, në lidhje edhe me aktivizimin që kanë pasur me klubet. Kemi nisur përgatitjet prej katër ditësh edhe për ato lojtarë që kanë luajtur më pak. E rëndësishme për stafin teknik është që të menaxhojë grupin. Përsa i përket formës fizike lojtarët janë në gjendje të mirë dhe do të jenë gati për të përballuar Evropianin. Gjithashtu të gjithë lojtarët dhe grupi kanë motivin e duhur dhe kjo është shumë e rëndësishme. Duhet të përgatisim lojtarët sa më mirë që ato të japin kontributin e duhur për ekipin. E rëndësishme është që në momentin që aktivizohen të japin maksimumin në fushën e lojës. Ne jemi të bindur që ata do të japin më të mirën në këtë eksperiencë”.
Miqësoret me Lihtenshtejnin dhe Azerbajxhanin? Ideja ime është që të hedhim në fushë lojtarët që kanë luajtur më pak. Dhe të rikuperojmë ata që kanë luajtur më shumë me klubet e tyre”, ka pohuar strategu brazilian.