Sylvinho dhe Ramadani: E dimë forcën tonë, jemi të bashkuar!
Shqipëria do të luajë nesër ndeshjen e dytë miqësore të muajit mars ndaj Suedisë.
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo dhe mesfushori, Ylber Ramadani, një ditë para duelit me suedezët, kanë folur në një konferencë për media.
Tekniku brazilian dhe mesfushori folën për rëndësinë e kësaj sfide, komentuan edhe njëherë disfatën ndaj Kilit, si edhe u shprehën që janë të bashkuar për të dhënë maksimumin në çdo sfidë.
Trajneri Sylvinho tha se pavarësisht disfatës me Kilin lojtarët janë të motivuar për të dhënë më të mirën në sfidën e nesërme ndaj Suedisë.
Tekniku brazilian theksoi se sfidat miqësore janë prova të rëndësishme para finaleve të Evropianit dhe shtoi se të gjithë lojtarët do të ketë mundësinë të shpalosin vlerat e tyre.
“E dinim që dy miqësoret janë ndeshje të vështira dhe pas kthimit në Tiranë ne do të fillojmë të mendojmë dhe të shohim opsionet që kemi për listën dhe Evropianin. Ne kemi bërë një rrugëtim shumë të bukur, por tani kishim dy miqësore ku duhet të provojmë sa më shumë lojtarë që ne të përgatitemi sa më mirë për Evropianin. Sigurisht është e vërtetë dhe është e pashmangshme që lojtarët të mos mendojnë për listën, por ata njëkohësisht mendojnë për të dhënë maksimumin në fushën e lojës. Ne punojmë dhe mendojmë si një ekip dhe jo në aspektin individual. Punojmë të gjithë bashkë, ndërsa trajneri dhe stafi teknik duhet të bëjë vlerësimin e rastit për të gjithë lojtarët, t’i vëzhgojë dhe të përgatitet sa më mirë për Evropianin. Sa i përket Suedisë është një kundërshtarë që ne e donim dhe e dinim që është një kundërshtarë i fortë. Suedia ka një histori të madhe dhe është një skuadër që është mësuar të luajë në Botëror, në Europian. Kështu që në pret një ndeshje e fortë”, ka thënë Sylvinho.
Ndërkaq, mesfushori, Ylber Ramadani tha se disfata ndaj Kilit ishte një mësim për të gjithë.
Ai shtoi se atmosfera brenda grupit është shumë e mirë dhe të gjithë lojtarët janë të gatshëm për të dhënë maksimumin ndaj Suedisë.
“Jemi duke u përballur me dy kundërshtarë të nivelit të lartë dhe ndeshja me Kilin na shërbeu të ulemi me këmb në tokë dhe të mendojmë shumë serioz, sepse këto dy ndeshje janë si sfidat e Europianit që do t’i kemi në të ardhmen”, tha Ramadani.
“Atmosfera është fantastike, si gjithmonë jemi të bashkuar. E dimë që nuk kemi bërë mirë me Kilin, por do të futemi nesër në fushë për të bërë maksimumin”, ka theksuar ai.
Miqësorja mes Suedisë dhe Shqipërisë nis në orën 19:00.