Surprizon ish-futbollisti francez: Dembele s’bën, ja kush i duhet Arsenalit!
Ish-ylli i Arsenalit, Emmanuel Petit ju ka bërë thirrje “Topçinjve” të mos marrin Ousmane Dembele në janar, me klubin që po kërkon të përforcojë sulmin.
Me skuadrën e Mikel Arteta që kërkon të sfidojë për titullin e Premier League dhe Championsin këtë sezon, mediat britanike flasin për afrimin e lojtarëve të rinj në merkato duke përmendur dhe Dembele.
Por Petit, i cili shkoi te Arsenali nga Monaco në 1997, thotë se Dembele do të ishte një afrim i dobët për skuadrën e Londrës veriore, teksa sugjeron një tjetër sulmues që sipas tij do të ishte përforcimi i duhur.
“Ousmane Dembele po vuan te PSG ku është nën presion të madh. Ai humbet shumë raste dhe nuk shënon gola. Ka qenë një fillim i vështirë për të ndaj nuk mund ta konsideroj të duhurin për Arsenalin. Unë jam një tifoz i madh i Ivan Toney. Ai ka bërë një punë të madhe te Brentford që kur erdhën nga Championship dhe nuk jam i surprizuar që skuadra vuan pa të.
Brentford nuk është e njëjta skuadër pa Toney pasi ai sjell shumë gjëra, gola, mentalitet dhe sjelljen e duhur. Kushdo që mer Toney në janar, nëse largohet, do të bëjë një biznes të mirë. Nëse Arsenali ka një shans për ta marë, duhet të hidhet në sulm për të”.
Trajneri i Brentford, Thomas Frank ka deklaruar se ai do që Toney të qëndrojë në skuadër përgjithmonë, teksa një betejë po nis për të mes Arsenalit dhe Chelsea.
Petit fitoi Premier League me Arsenalin në sezonin e tij të parë në 1998 duke luajtur 118 ndeshje për klubin para se të largohej te Barcelona në vitin 2000.