Superliga rikthehet me duele të “nxehta”, këto superndeshje na presin

Superliga rikthehet me duele të “nxehta”, këto superndeshje na presin

Nesër (e shtunë) do të luhen dy ndeshje në kuadër të xhiros së 11-të të Supërligës së Kosovës në futboll.

Ndeshja më interesante do të jetë ajo në mes të Prishtinës dhe Gjilanit. Kryeqytetasit në këtë përballje hyjnë me trajner të ri pas largimit të Debatik Currit.

Kryeqytetasit kërkojnë fitore në këtë ballafaqim, pasi nuk dinë për të tash e shtatë javë, derisa të kuqtë nga Gjilani kërkojnë fitoren e dytë radhazi.

Takimi i parë i luajtur në mes të tyre kishte përfunduar pa gola. Sa i përket tabelës, Prishtina ka 13 pikë, dy më shumë se Gjilani.

Po ashtu, nesër (e shtunë) Fushë-Kosova e pret Malishevën, që paraqitet me trajner të ri. Në pesë sfidat e fundit malishevasit kanë katër humbje, aq sa ka edhe Fushë-Kosova. Në tabelë Malisheva qëndron e pesta, derisa mbyllet nga Fushë-Kosova.

Malisheva e kishte deklasuar kundërshtarin në takimin e parë, 6:1.

Dy skuadrat e para të tabelës, Ballkani dhe Drita, priten të kenë përballje të lehta këtë javë, të paktën në letër. Suharekasit luajnë pasnesër (e diel) në udhëtim te Feronikeli 74, duke e kërkuar fitoren e tetë kampionale, karshi dy barazimeve.

Në anën tjetër, Feronikeli 74 do të përpiqet të shkaktojë befasi e të marrë rezultat pozitiv. Tabelës i prin Ballkani me 23 pikë, kurse Feronikeli është i teti me 11 pikë. Përballja e parë u kishte takuar therandasve me rezultat 2:0.

Përcjellësja më e afërt e Ballkanit, Drita, këtë javë luan në shtëpi ndaj Lirisë, për t’iu hakmarrë për atë barazim pa gola në sfidën e parë.

Të kaltrit nga Gjilani janë të dytit në tabelë me dy pikë më pak se ekipi i parë.

Interesante e të dy ekipeve është se Drita ka pesë fitore radhazi, ndërsa Liria pesë humbje radhazi. Prizrenasit në tabelë janë të parafundit.

Sfida e fundit do të luhet në Klinë në mes të Dukagjinit e Llapit. Të besuarit e Tahir Batatinës do ta kërkojnë fitoren e dytë ndaj atyre të Armend Dallkut, në një terren tejet të vështirë.

Sa i përket klasifikimit, llapjanët gjenden të tretit me 19 pikë, plot shtatë më shumë se klinasit të gjashtit.

Share This