Superliga rikthehet me disa duele të zjarrta
Superliga e basketbollit rikthehet të enjten, të premten dhe të shtunën me ndeshjet e xhiros së 21-të.
Kjo xhiro, e cila është e fundit para garave të Final 8 Kupës së Kosovës në basketboll, pritet të sjellë disa duele interesante.
Java e 21-të hapet nesër me përballjen mes rivalëve të vjetër në basketbollin e Kosovës, Pejës dhe Bashkimit. Kampionët e Kosovës ndodhen në vendin e dytë me 15 fitore e pesë humbje, derisa prizrenasit në vendin e gjashtë me shtatë fitore e 13 humbje.
Sfidë mjaft interesante shihet ajo mes Trepçës dhe Golden Eagle Yllit, vendit të parë, përkatësisht të katërt në renditje, dueli ky që luhet të premten. Mitrovicasit janë liderë me 18 fitore e dy humbje, kurse therandasit kanë 12 fitore e tetë humbje.
Të premten po ashtu do të përballen Proton Cable Prizreni me Istogun. Prizrenasit janë në vendin e shtatë me pesë fitore e 15 humbje, kurse istogasit të fundit me vetëm një fitore e 19 humbje.
Kjo xhiro përmbyllet të shtunën pikërisht me sfidën në Gjakovë, ku pritet atmosferë e mirë, në duelin Vëllaznimi-Sigal Prishtina.
Kuqezinjtë ndodhen në vendin e pestë me nëntë fitore e 11 humbje, derisa bardhekaltrit në vendin e tretë me 13 fitore e shtatë humbje.
Superliga / Java 21
Të enjten takohen:
19:00 Peja – Bashkimi
Të premten takohen:
19:00 Trepça – Golden Eagle Ylli
19:00 Proton Cable Prizreni – Istogu
Të shtunën takohen:
17:00 Vëllaznimi – Sigal Prishtina