Superliga e hendbollit vjen sot me derbin Rahoveci-Prishtina
Superliga e Kosovës në hendboll në konkurrencën e meshkujve, rikthehet sot me ndeshjen e parë të xhiros së 22-të.
Derbi Rahoveci – Prishtina, ndeshje kjo që luhet sot nga ora 20:00 në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec, hap sfidat e kësaj xhiro.
Pasi e siguroi kalimin në gjysmëfinale të Kupës, Rahoveci i kthehet garës kampionale me synim për fitoren e 22-të rresht. “Vreshtarët” kanë fituar 21 ndeshjet e deritashme dhe udhëheqin në tabelë me 42 pikë.
Prishtina udhëton me shpresë për të befasuar Rahovecin dhe për të bërë një hap të rëndësishëm drejt play-off-it. Aktualisht është në pozitën e pestë me 18 pikë nga 20 ndeshje.
Ndërkaq, nesër luhen dy ndeshjet tjera të xhiros së 22-të nga ora 19:00. Trepça e Kastrioti takohen në Mitrovicë, ndërsa Besa Famgas e Vushtrria luajnë në Pejë.