Superliga e basketbollit vjen me disa superduele
Fundjava do të dhurojë sfidë interesante në Superligën e Kosovës në basketboll.
Përballja e parë do të jetë mes Vëllaznimit dhe Pejës. Kuqezinjtë ndodhen në formë të mirë, ku kanë tri fitore radhazi, por në formë edhe më të mirë është Peja, që ka shtatë fitore në shtatë ndeshje, apo asnjë humbje në elitë, njëherësh edhe skuadra e vetme pa humbje në këtë edicion të Superligës.
Takim po ashtu interesant do të zhvillohet të shtunën mbrëma, ku Bashkimi ndeshet me Golden Eagle Yllin. Tashmë të dy skuadrat kanë nga tri fitore e katër humbje dhe do të kërkojnë fitoren e katërt për këtë edicion.
Trepça pas humbjes nga Golden Eagle Ylli do të ndeshet me Istogun, që numëron një fitore e gjashtë humbje, kurse mitrovicasit janë në vendin e dytë me pesë fitore e dy humbje.
Java e tetë do të mbyllet me ndeshjen mes Proton Cable Prizrenit dhe Sigal Prishtinës, sfidë që do të zhvillohet në kryeqytet.
Prizrenasit kanë dy fitore e pesë humbje, kurse prishtinasit kanë katër fitore e tri humbje.
Superliga/Java e Tetë
Të shtunën takohen:
17:00 Vëllaznimi-Peja
19:00 Bashkimi-Golden Eagle Ylli
Të dielën takohen:
17:00 Trepça-Istogu
19:00 Proton Cable Prizreni-Sigal Prishtina