Superliga basketbollit rikthehet me përballje interesante
Pas derbit Peja-Trepça, elita e basketbollit vazhdon këtë vikend me ndeshje interesante të vlefshme për javën e katërt.
Sfida e parë do të jetë ndërmjet Istogut dhe Sigal Prishtinës. Istogasit në fundjavën e kaluar shënuan fitoren e parë në elitë, duke mundur Bashkimi, kurse kanë edhe dy humbje, ndërsa e kundërta është për prishtinasit që numërojnë dy fitore e një humbje.
Përballja e dytë e së shtunës është mes skuadrave prizrenase Bashkimi-Proton Cable Prizreni. Bashkimi e nisi me dy fitore, por më pas pësoi nga Istogu, kurse Proton Cable Prizreni e nisi me dy humbje, e më pas erdhi fitorja ndaj Vëllaznimit.
Derbi i kësaj xhiro është të dielën ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Pejës. Ylli ka një fitore e dy humbje, ndërsa Peja është e vetmja me tri fitore radhazi në elitë. Dy skuadrat hyjnë për fitore, pasi kanë ambicie të larta në këtë edicion.
Ndeshja e fundit e kësaj xhiro është ndërmjet Trepçës dhe Vëllaznimit. Mitrovicasit pas dy fitoreve radhazi pësuan nga Peja, kurse kuqezinjtë janë skuadra e vetme në elitë deri më tani me tri humbje, duke mos shënuar asnjë fitore.
Superliga Java e katërt
Të shtunën takohen:
17:00 Istogu – Sigal Prishtina
19:00 Bashkimi – Proton Cable Prizreni
Të dielën takohen:
17:00 Golden Eagle Ylli – Peja
19:00 Trepça – Vëllaznimi