Supergoli i Gross i jep fitoren Gjermanisë, Anglia zhgënjen në “Wembley”
Gjermania luan edhe testin e fundit miqësor para Europianit të shtëpisë, teksa tashmë vëmendja e skuadrës së Nagelsmann shkon te ndeshja hapëse e kompeticionit, ndaj Skocisë më 14 qershor.
Testi i fundit i “pancerave” ishte ai në “Borussia Park” ndaj Greqisë, të cilën djemtë e Nagelsmann e fituan me rezultatin 2-1 me përmbysje, një takim ku vuajtën jo pak për të siguruar triumfin.
Masouras shënoi për grekët në pjesën e parë, ndërsa Gjermania gjeti golin e barazimit me Havertz në minutën e 54-t dhe më pas, në të 89-ën ishte mbrojtësi Gross që lëshoi një goditje spektakolare nga jashtë zone, duke dërguar topin në trekëndësh.
E nëse Gjermania fiton, nuk bën dot të njëjtën gjë Anglia, që u mposht me rezultatin minimal 1-0 nga Islanda në “Wembley”.
Miqtë shënuan golin e vetëm të ndeshjes që në minutën e 12’, ndërsa skuadra e Southgate bëri shumë pak për të ndryshuar rezultatin dhe një pjesë e mirë e tifozëve nisën të largohen nga stadiumi disa minuta para fundit.
Megjithatë ishte vetëm një test miqësor, teksa Anglia përgatitet për Europianin, aty ku do të debutojë më 16 qershor me përballjen ndaj Serbisë. /SS/