Super Zhegrova ia siguron fitoren Lilles ndaj Fenerbahces
Aktivizimi i Edon Zhegrovës ka rezultuar një vendim i qëlluar për trajnerin e Lille, Bruno Genesio. Futbollisti kosovar ka kontribuar në triumfin e ekipit francez ndaj skuadrës turke, Fenerbahce, në ndeshjen e parë të raundit të tretë për kualifikimet në Champions League.
Në ndeshjen e zhvilluar në “Decathlon Arena-Stade Pierre-Mauroy” Lille ka fituar me rezultat 2-1. Skuadra franceze e ka mbyllur pjesën e parë me epërsi pas golit të Santos në minutën e dymbëdhjetë.
Barazimi nga skuadra e drejtuar prej trajnerit Jose Mourinho ka ardhur në minutën e tetëdhjetë, kur ka shënuar Kahveci.
Kur dukej se ndeshja do të përfundonte në barazim, Zhegrova, i cili ishte në fushë vetëm për njëzet minuta, ka shënuar në kohën shtesë.
Fitorja e sontme e vendosë skuadrën franceze në një pozicion më të favorshëm për ndeshjen e ardhshme dhe për kalimin në raundin tjetër të garës.