Super Kosova e nis me fitore, mposht Irlandën
Kombëtarja e Kosovës në basketboll, i ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme Parakualifikueset për Kupën e Botës FIBA 2027.
Dardanët mundën Irlandën, me rezultat 83-76 të enjten mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.
Basketbollistët e Kosovës, në përkrahje të fuqishme nga tifozët tonë ‘Dardanët’, bën paraqitje mjaft të mirë, duke dominuar vazhdimisht në parket, por edhe në rezultat.
Pjesa e parë e lojës është mbyllur me epërsinë e Kosovës me rezultat 45-38.
Edhe në fraksionin e dytë, basketbollistët e Kombëtares sonë, vazhduan me performancën e mirë, e kontrolluan mjaft mirë lojën duke e ruajtur avantazhin dhe në fund iu gëzuan fitores me rezultat 83-76.
Drilon Hajrizi me 20 pikë dhe Dardan Berisha me 19 sosh, ishin dyshja më e mirë në radhët e Kombëtares sonë.
Kosova ndodhet me Zvicrën, Irlandën dhe Azerbajxhanin, më këta të fundit do të përballet në ndeshjen e dytë më 25 shkurt në udhëtim.