Super finalja e pestë

Super finalja e pestë

Super finalet e “Play-off”-it të Superligës së Kosovës në basketboll, vazhdojnë me sfidën e pestë, që zhvillohet të dielën në Palestrën “Sezai Surroi” në Prizren.

Bashkimi dhe Trepça ndeshen sërish në një betejë, ku të dy skuadrat do të ‘luftojnë’ deri në fund për fitore.

Mitrovicasit po fitojnë në serinë finale 3:1 dhe janë një hap afër të mbrojnë titullin e kampionit. Ndërkohë, prizrenasit duan fitore para tifozëve të tyre në shtëpi, për të mbetur në garë për titullin e kampionit.

Skuadra që shënon katër fitore shpallet kampione e Kosovës.

Trepça është një hap afër trofeut më të rëndësishëm të basketbollit në Kosovë, ndërsa Bashkimi duhet t’i fitojë tri ndeshje për tu stolisur me titullin e kampionit. Hera e parë dhe e fundit për prizrenasit që fituan titullin ishte më 2018.

Portokallezinjtë fituan ndeshjen e parë 84:77, e më pas fituan ‘Xehetarët’, tri ndeshje radhazi, 79:72, 71:88 dhe 80:74.

Sfida pritet të jetë shumë interesante dhe me super spektakël, ashtu siç kanë qenë përballjet mes tyre në finale.

Ndeshja zhvillohet nga ora 19:00.

Share This