
‘Super Bowl’, ndeshja s’kishte histori, Trump largohet para kohe
Finalja e 59-të e Super Bowl ishte prej atyre ku nuk kishte shumë për të treguar.
Tifozët e Filadelfias janë gëzuar gjatë të gjithë kohës pasi mbrojtja e tyre “masakroi” Chiefs-at në të katër pjesët e ndeshjes për të fituar kështu titullin e dytë në historinë e organizatës me shifrat 40-22.
Sa i përket spektaklit mes pjesëve një balerin u arrestua pasi shpalosi flamurin e Palestinës dhe atë të Sudanit gjatë performancës së Kendrik Lamar.
VIP-at në stadium ishin të shumtë ndërsa kryesori Donald Tramp u vu re që të largohej nga “Caesars Superdome” përpara kohe. Në fillim të takimit presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës kishte parashikuar një fitore të Kansas Cityt pasi sipas tij diferencën do ta bënte lojtari më i mirë i NFL-së amerikane, Patrik Mahoms.
Mbase në zgjedhjen e bërë nga presidenti ka ndikuar edhe refuzimi që i bëri ftesës së tij ekipi i Filadelfias në 2018-ën pas triumfit në Super Bowl kur refuzoi që të shkonte në pritjen e Shtëpisë së Bardhë.