“Sulmi terrorist erdhi nga Serbia”: Çka dihet deri tani për shpërthimin në kanalin ujor në Zubin Potok?

“Sulmi terrorist erdhi nga Serbia”: Çka dihet deri tani për shpërthimin në kanalin ujor në Zubin Potok?

Kosova është tronditur mbrëmë nga një shpërthim në afërsi të fshatit Vragë të Zubin Potokut.

Rreth orës 19:00, në afërsi të këtij fshatit, nga një shpërthim është dëmtuar kanali kryesor i Ibër Lepencit, prej nga furnizohen me ujë disa qytete në Kosovë si dhe KEK-u për ftohjen e termoelektranave dhe prodhimin e energjisë elektrike.

Shpërthimi është vlerësuar si sulm mbi infrastrukturën kritike të Kosovës.

Institucionet e Kosovës kanë vlerësuar se indikacionet e para flasin se sulmi ka ardhur nga Serbia.

Një vlerësim të tillë e ka pasur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se sulmi është terrorist i mbështetur nga fqinji verior i Kosovës.

“Pra një pjesë e kanalit të Ibër Lepencit është dëmtuar nga një shpërthim i detonuar. Policia jonë tashmë është në vend të ngjarjes dhe në krye të detyrës. Furnizimi me ujë të pijes është ndërprerë përkohësisht, sipas edhe lajmërimeve e njoftimeve nga KRU Mitrovica. Ky është sulm kriminal dhe terrorist i cili ka synuar që ta dëmtojë infrastrukturën tonë kritike, mbase edhe më të rëndësishmen që e kemi dhe padyshim që ishte tentativë e rrezikimit të furnizimit me energji elektrike dhe ujë në vendin tonë”, ka thënë ai në konferencë për media të mbajtur në mesnatë.

Ai ka ftuar qytetarët që të ndjekin udhëzimet e institucioneve.

“U bëjmë thirrje qytetarëve që të jenë të qetë dhe të ndjekin në vazhdimësi udhëzimet dhe njoftimet nga institucioneve e Republikës së Kosovës. Organet shtetërore janë të angazhuara për të siguruar menaxhimin e situatës, rikuperimin e dëmit, dhe zbardhjen e plotë të rastit. Sulmi është kryer nga profesionistë, është sulmi i radhës kriminal e terrorist që ne besojmë se vjen nga bandat e dirigjuara dhe të orkestruara nga Serbia e cila e ka edhe interesin edhe gatishmërinë edhe aftësinë për të shkaktuar sulme e dëmtime të këtilla, në rastin konkret duke përdorur një sasi të madhe të eksplozivit në një nyje kyçe ku riparimi është i vështirë. Nëse dëmi nuk riparohet atëherë një pjesë e Kosovës rrezikon të mbetet pa energji elektrike që në mëngjes”, ka thënë Kurti.

Ndër të tjera, ai ka treguar për pasojat që mund t`i këtë ky shpërthim.

“Disa qytete dhe një pjesë e Prishtinës, rrezikojnë të mbeten pa ujë të pijshëm. Për bindjen tonë të fuqishme nuk mund të ketë adresë tjetër për përgjegjësi dhe fajësi për organizimin dhe orkestrimin e këtij sulmi përveç Beogradit zyrtar dhe strukturat e tyre kriminale të cilat më në krye Millan Radojçiq, mbështeten nga institucionet serbe, dhe nga presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiq. Ai u ndalua për t’u liruar dhe tash është i lirë në Serbi dhe dirigjon me elementet paramilitare e kriminale atje, kriminelit të paqes e kriminelit të luftës që e urrejnë republikën tonë dhe popullin tonë mbarë”, është shprehur ai.

Sulmi dënohet ashpër

Ndaj sulmit në kanalin kryesor i Ibër Lepencit ka reaguar SHBA-ja dhe BE-ja.

Aleatët e Kosovës e kanë dënuar sulmin në fjalë, duke kërkuar nga organet e sigurisë që të zbardhin rastin.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, në një shkrim në rrjetin social “X”, ka thënë se ShBA-të dënojnë fuqishëm këtë sulm dhe se kanë ofruar mbështetjen ndaj Qeverisë së vendit.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë fuqishëm sulmin e 29 nëntorit në infrastrukturën kritike në Kosovë duke dëmtuar një kanal ujor në Zubin Potok që është thelbësor për furnizimin me ujë të Kosovës dhe funksionimin e termocentraleve të Kosovës. Ne jemi duke e monitoruar situatën nga afër, do të mbështesim një hetim gjithëpërfshirës dhe i kemi ofruar mbështetjen tonë të plotë Qeverisë së Kosovës për të siguruar që personat përgjegjës për këtë sulm kriminal të identifikohen dhe të mbahen përgjegjës.”, ka vlerësuar ai.

Ndaj sulmit ka reaguar edhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, i cili ka dënuar sulmin në kanalin e Ibër Lepencit.

Në një shkrim në rrjetin social “X”, ai ka thënë se u ka ofruar ndihmën e BE-së autoriteteve të Kosovës.

“Dënoj incidentin e rëndë që shkaktoi dëme në kanalin ujor në Zubin Potok dhe që po privon pjesë të konsiderueshme të Kosovës nga furnizimi me ujë. Unë u kam ofruar ndihmën e BE-së autoriteteve të Kosovës. Ngjarja duhet të hetohet dhe përgjegjësit të vihen para drejtësisë.”, ka shkruar ai.

Shpërthimi i mbrëmshme është dënuar edhe nga presidentja Vjosa Osmani dhe partitë opozitare. /Nacionale/

Share This