“Sulmi në ‘Ibër-Lepenc’ cenoi sigurinë”, Buardani: Roli i KFOR-it është ende vendimtar

“Sulmi në ‘Ibër-Lepenc’ cenoi sigurinë”, Buardani: Roli i KFOR-it është ende vendimtar

Situata e sigurisë në Kosovë është e brishtë dhe me potencial të qëndrueshëm të përshkallëzimit, ka thënë komandanti i KFOR-it, Enrico Buardani, derisa ka shtuar se sulmi terrorist në “Ibër-Lepenc” ka cenuar situatën e sigurisë në vend.

Gjeneralmajor Buardani, i cili në tetor e ka marrë zyrtarisht detyrën e shefit të misionit të NATO-s në Kosovë, nënvizon rëndësinë e KFOR-it në rrethanat aktuale.

“Ka ende punë për të bërë për të siguruar përmbushjen e kushteve të duhura për të mbajtur një mjedis të sigurt dhe stabil, duke përfshirë ato që janë para së gjithash nga natyra politike. Me këtë i referohem në mënyrë eksplicite dialogut Beograd-Prishtinë dhe rëndësisë që ai të ecë përpara. Prandaj, KFOR-i do të vazhdojë të mbajë detyrën e tij për të garantuar sigurinë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë; dhe përmes pranisë dhe aktiviteteve të përditshme në mbarë Kosovën do të vazhdojë të krijojë hapësirë për dialog politik për të siguruar një zgjidhje afatgjatë të çështjeve të mbetura”, ka thënë ai në intervistën me shkrim për “Kosovapress”.

Çështjet e pazgjidhura në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe dezinformatat në rajon siç ka thënë ai, po bëjnë që në Kosovë të ketë potencial të qëndrueshëm të përshkallëzimit.

“Sulmi i fundit në kanalin ujor Ibër-Lepenc nxjerr në pah cenueshmërinë e situatës së sigurisë në Kosovë… KFOR-i do të punojë ngushtë me organizatat e sigurisë së Kosovës dhe komunitetin ndërkombëtar, në mbështetje të sigurisë lidhur me zgjedhjet e ardhshme, në fillim të vitit të ardhshëm. Nëse situata e kërkon, NATO ka gjithashtu aftësinë për të përforcuar menjëherë KFOR-in përmes njësive të ndryshme të forcave rezervë, në një njoftim shumë të shkurtër për të lëvizur”, ka thënë komandanti i KFOR-it.

Ai ka folur edhe për hapjen e Urës së Ibrit, për çfarë ka thënë se KFOR-i mban një qëndrim transparent dhe konsistent, duke theksuar se çdo vendim duhet të merret përmes dialogut me komunitetin ndërkombëtar.

“Ura e Ibrit, çështje politike dhe jo ushtarake”, ka thënë komandanti i KFOR-it. /KosovaPress/

Share This