
Sulmi izraelit ndaj Iranit, Trump: Dinim gjithçka, Teherani pati 60 ditë kohë për marrëveshjen. Netanyahu: Direktiva u dha që në nëntor
Kryeministri izraelit Benjanim Netanyahu dha të premten detaje të reja rreth zanafillës së operacionit “Zgjimi i Luanit” kundër Iranit, që vendi i tij e ndërmori në orët e para të ditës.
Operacioni kishte si objektiv disa vendndodhje strategjike të prodhimit të armatimeve bërthamore, si edhe figura të larta të ushtrisë, sigurisë dhe shkencëtarë të fushës.
“Kjo nuk u planifikua ‘tani’. Direktiva iu dha lidershipit më të lartë të sigurisë mbi gjashtë muaj më parë, në nëntor 2024. Unë urdhërova eliminimin e programit bërthamor të Iranit,” tha Netanyahu, duke shtuar se vendimi erdhi pas vrasjes së liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah. Sipas tij me rënien e aksit të udhëhequr nga Irani, që konsiderohet prej Tel-Avivit si një rrezik për shkatërrimin e Izraelit, Teherani do të detyrohej të hiqte dorë nga ambiciet e veta për armatim bërthamor. “Dhe kjo ndodhi,” tha ai në një dalje për mediet, duke pretenduar se qëllimi i tij ka qenë ta sulmonte Iranin që në vitet 2011–2012.
“Zgjimi i Luanit” duhej të kishte ndodhur në fund të muajit prill, sipas planeve të qeverisë izraelite, por pati disa rrethana që e shtynë ekzekutimin e tij. “Data finale u përcaktua nga rekomandimet e IDF-në, në konsultim me Shefin e Shtabit dhe ministrin e Mbrojtjes. Kjo nuk ishte gjë e vogël, por një vendim kritik. E kam thënë edhe më parë: nëse Irani merr armët bërthamore ne thjesht nuk do të jemi më këtu.
Ata po e shpejtonin prodhimin e armëve, me synimin për të ndërtuar një sistem të aftë për të prodhuar 300 raketa balistike në muaj. Pra, 10 mijë raketa në tri vite, 20 mijë në gjashtë vite, secila me nga një ton eksploziv. Goditja me një raketë të vetme do të ishte si të binte një autobus i mbushur me eksploziv në qytetet izraelite, pra, një kërcënim ekzistencial,” tha Netanyahu.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha në orët e para pas sulmit izraelit se veprimet e Tel-Avivit ishin “të njëanshme” dhe se SHBA-ja nuk ishte përfshirë në to. Raportohet se Departamenti i Shtetit informoi një sërë aleatësh në Lindjen e Mesme, mes tyre edhe Katari, për goditjen e Izraelit ndaj Iranit që të enjten pasdite.
“Qëndrimin e amerikanëve ua lë amerikanëve. Ne i kemi mbajtur të përditësuar para kohe. Ata e dinin për sulmin. Çfarë do të bëjnë tani? Këtë ia lë presidentit [Donald] Trump. Ai i merr vendimet i pavarur. Nuk do të flas për të. Ai flet shumë bindshëm dhe me forcë,” u shpreh kryeministri Netanyahu.
Trump: Sulmi i izraelit mund të zbutë qëndrimin e Iranit në bisedimet bërthamore
Presidenti amerikan Donald Trump tha se SHBA-ja ishte në dijeni të gjithçka që do të kryente Izraeli në Iran.
Gjatë një telefonate me agjencinë “Reuters”, shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se ai nuk është i shqetësuar për shpërthimin e luftës në Lindjen e Mesme dhe se ishte përpjekur më parë që “ta shpëtonte Iranin nga poshtërimi dhe vdekjet”.
“U mundova t’i shpëtoj, sepse do të kisha dashur të kishim një marrëveshje. Ajo marrëveshje mund të arrihet, gjithsesi, nuk është vonë,” tha Trump, duke iu referuar bisedimeve që i dërguari i tij Steve Witkoff ka planifikuar të mbajë me delegacionin iranian në Oman, ditën e diel, që Teherani të heqë dorë nga programi për zhvillimin e armatimit bërthamor.
“U dhashë 60 ditë. Sot është dita e 61-të. Duhet ta kishin arritur marrëveshjen. Ishin shumë afër.“
Pyetjes nëse goditjet e Izraelit do i rrezikojnë negociatat dypalëshe për programin bërthamor, Trump tha: “Nuk besoj. Ndoshta ndodh e kundërta. Ndoshta tani do të negociojnë seriozisht.”
/rtsh.al/