
Sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës Trump: Putini po luan me zjarrin
Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar sot presidentin rus Vladimir Putin se po “luan me zjarrin” teksa Moska vijon të sulmojë Ukrainën.
Trump shkroi në “Truth Social’ se Putini nuk e kupton se “nëse nuk do të ishte për mua, shumë gjëra të këqija do t’i kishin ndodhur tashmë Rusisë, dhe dua të them vërtet shumë të këqija”.
“Ai po luan me zjarrin”, tha Trump.
Paralajmërimi pason kritikën e Trump ditën e diel kur tha se Putini “është çmendur tërësisht” pasi Rusia nisi sulmet ajrore në Ukrainë për tre net radhazi.
Trump shprehu konfuzion në lidhje me sjelljen e Putinit. “Gjithmonë kam pasur një marrëdhënie shumë të mirë me Vladimir Putinin, por diçka i ka ndodhur”, tha ai, raporton RTSH.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov hodhi paralajmërimet e Trumpit duke i cilësuar ato vërejtje si “mbingarkesë emocionale”, duke minimizuar kritikën e presidentit amerikan.