
Sulm me armë në Kashmir, vriten 26 turistë
Një sulm i armatosur ka tronditur të martën (22 prill) rajonin e Kashmirit të kontrolluar nga India, duke u marrë jetën të paktën 26 turistëve, ndërsa dhjetëra të tjerë kanë mbetur të plagosur, disa prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë për jetën.
Policia njoftoi se sulmi ndodhi në livadhin Baisaran, rreth pesë kilometra nga qyteti turistik i Pahalgamit, në një zonë të diskutueshme që ka qenë shpesh një pikë atraksioni për turistët, veçanërisht ata indianë.
Zyrtarët e policisë kanë fajësuar një grup militantësh që luftojnë kundër sundimit indian në Kashmir, si autorë të sulmit. Sipas dëshmive, të paktën katër militantë kanë hapur zjarr mbi turistët nga një distancë e afërt.
“Ky sulm është shumë më i madh se çdo gjë që kemi parë të drejtuar ndaj civilëve në vitet e fundit,” tha Omar Abdullah, një nga liderët kryesorë të rajonit, në mediat sociale.
Udhëheqësit globalë kanë shprehur dënimin për sulmin ndaj civilëve në Pahalgam.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres ndërsa shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave, u shpreh se sulmet ndaj civilëve janë të papranueshme.
Presidenti amerikan Donald Trump dënoi aktin, duke theksuar se SHBA qëndrojnë të forta me Indinë kundër terrorizmit.
“Lajme thellësisht shqetësuese nga Kashmiri. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë të forta me Indinë kundër terrorizmit. Lutemi për shpirtrat e të humburve dhe për shërimin e të lënduarve. Kryeministri Modi dhe njerëzit e jashtëzakonshëm të Indisë, kanë mbështetjen tonë të plotë dhe simpatitë më të thella”, tha Trump.
Edhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni shprehu ngushëllimet e saj dhe tha se ishte “thellësisht e pikëlluar” nga lajmi.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Sir Keir Starmer tha se sulmi është “tërësisht shkatërrues”.
“Mendimet e mia janë me të prekurit, me të dashurit e tyre dhe me njerëzit e Indisë”, deklaroi ai.
Po ashtu, Ministria e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe dënoi sulmin dhe tha se kundërshtonte përgjithmonë “të gjitha format e dhunës dhe terrorizmit që synojnë minimin e sigurisë dhe stabilitetit në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar”.
Sulmi në Pahalgam ndodhi gjatë vizitës katër-ditore të zëvendëspresidentit amerikan JD Vance në Indi me familjen e tij.
JD Vance gjithashtu shprehu ngushëllimet e tij dhe theksoi se ata ishin “pushtuar nga bukuria e këtij vendi dhe popullit të tij”, ndërkohë që dhimbjet e sulmit të tmerrshëm i prekin të gjithë.
Reagimi i autoriteteve indiane dhe ndërprerja e vizitës së Modi-t
Kryeministri indian Narendra Modi, ndodhej në Arabinë Saudite gjatë kohës që ndodhi tragjedia, por ka ndërprerë menjëherë vizitën duke u kthyer në Indi për të vlerësuar situatën.
Pas mbërritjes, ai mbajti një takim urgjent me autoritetet më të larta të sigurisë dhe të ministrisë së jashtme për të diskutuar pasojat e sulmit dhe masat për përballimin e tij.