
Stop rrëmbimit të futbollistëve të Kosovës – Presidenca e Shqipërisë të ndalë dhënien selektive të pasaportave
Një tjetër futbollist i largohet Kosovës – dhe sërish adresa është e njëjtë: Shqipëria.
Këtë herë, Etnik Brruti po pajiset me pasaportë shqiptare, një privilegj që për shumicën e shqiptarëve në Kosovë, Luginë të Preshevës, Maqedoni të Veriut dhe Malësinë e Malit të Zi mbetet një ëndërr e paarritshme.
Kur bëhet fjalë për qytetarët e zakonshëm, të cilët nuk kanë asnjë përfitim politik apo sportiv për Shqipërinë, marrja e pasaportës shqiptare është praktikisht e pamundur, pavarësisht dëshirës së madhe për t’u ndier pjesë e një kombi të vetëm. Institucionet shqiptare, në vazhdimësi, e kanë justifikuar këtë duke thënë se nuk ekziston baza ligjore për pajisjen e shqiptarëve të trojeve të tjera me shtetësi dhe pasaportë. Por, kur bëhet fjalë për sportistët – veçanërisht futbollistët – papritur gjejnë bazë kushtetuese dhe ligjore për t’ua dhënë shtetësinë në kohë rekord.
Kjo qasje selektive dhe e padrejtë ngre pyetje të rëndësishme: Pse ky përjashtim për sportistët dhe pse ky injorim për shqiptarët e tjerë? Pse shteti shqiptar nuk e bën të mundur që çdo shqiptar, pavarësisht vendbanimit të tij, të ketë pasaportën e tij kombëtare?
Në këtë politikë me dy standarde, Shqipëria tregohet e gatshme të ‘rrëmbejë’ talente sportive nga Kosova, ndërsa mijëra shqiptarë në trojet historike përballen me barriera të pakapërcyeshme për të marrë shtetësinë. Kjo situatë është jo vetëm e padrejtë, por edhe e dëmshme për Kosovën, e cila vazhdon të luftojë për afirmim ndërkombëtar dhe për të ndërtuar një ekip kombëtar konkurrues në arenën evropiane të futbollit.
A është i vetëdijshëm presidenti Bajram Begaj dhe kabineti i tij se me vendime të tilla selektive, po dëmtohet drejtpërdrejt shteti i Kosovës? Cili është mesazhi që u jepet të rinjve kosovarë kur shohin se vetëm nëse janë futbollistë me perspektivë mund të marrin pasaportën e Shqipërisë, ndërsa për të tjerët kjo mbetet një derë e mbyllur?
Kjo çështje kërkon reagim të menjëhershëm nga institucionet e Kosovës, të cilat duhet ta trajtojnë si një problem serioz dhe ta adresojnë atë qoftë edhe në instancat ndërkombëtare. Nëse Shqipëria vërtet beson në parimin e bashkimit kombëtar në frymën e tij kulturore dhe identitare, atëherë duhet të ofrojë një qasje të drejtë dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë shqiptarët, e njëherësh të mos e dëmtojnë Kosovën në mënyrë kaq të paskrupullt.
Nëse sportistët kanë të drejtë të bëhen shtetas të Shqipërisë, pse jo edhe qytetarët e zakonshëm që e ndjejnë veten po aq shqiptarë sa ata? /Futbolli.info