Stadiumi “Fadil Vokrri” po bëhet gati aty ku dardanët pritet të shkëlqejnë në shtator

Stadiumi “Fadil Vokrri” po bëhet gati aty ku dardanët pritet të shkëlqejnë në shtator

Fusha e stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë shumë shpejt pritet të ketë një pamje të bukur.

Tashmë aty kanë nisur punimet në rindërtimin e tërësishëm të fushës e cila do të shtrohet me bari hibrid dhe do të jetë e ngjashme me fushat e stadiumeve moderne në Evropë.

Federata e Futbollit e Kosovës dhe Ministria e Kulturës Rinisë e Sportit njoftuan për nisjen e punimeve, ndërsa Ballkani.info ka vizituar stadiumin ku ka parë nga afër se aty po punohet me intensitet të lartë dhe duket se projekti do të kryhet sipas parashikimeve.

Korriku është data e fundit kur edhe pritet që fusha të jetë gati për zhvillimin e ndeshjeve. Plot 1.3 milionë euro janë ndarë për rregullimin e fushës që është projekt i MKRS.

Fusha hibrid e cila do të vendoset në stadium është teknologjia e fundit e fushave dhe e para e llojit të tillë në Kosovë.

Kjo fushë do të ketë edhe sistemin e ngrohjes, që do të jetë një lehtësim për mirëmbajten e saj gjatë stinëve të vjeshtës dhe dimrit, kur në vendin tonë mbretëron mot i ftohtë.

Të kujtojmë se stadiumi Fadil Vokrri është jashtë funksionit që nga viti i kaluar, derisa Prishtina si nikoqire ndeshjet e saja si vendase po i zhvillon në Lipjan derisa Kombëtarja e Kosovës aty pritet të kthehet në muajin shtator kur edhe nis kualifikimet në Ligën e Kombeve.

Share This