Sparta e prezanton Rrahmanin, Rosicky me fjalë të mëdha
Sulmuesi Albion Rrahmani është lojtari më i ri i skuadrës Sparta Prague, duke u transferuar nga FC Rapid 1923 i Rumanisë.
Reprezentuesi i Kosovës kishte bërë përshtypje në Rumani, ku gjatë sezonit të fundit kishte shënuar shtatëmbëdhjetë gola dhe kishte dhënë pesë asistime për skuadrën nga Bukureshti.
Drejtori sportiv i Spartës, Tomas Rosicky, ka treguar pritjet për sulmuesin shtatlartë.
“Albioni ka një potencial të jashtëzakonshëm për të vazhduar zhvillimin. Ai mund të jetë shumë produktiv, siç dëshmojnë statistikat e tij nga dy sezonet e fundit. Ne besojmë se stili ynë i lojës do të përmirësohet edhe më shumë me ardhjen e tij”, ka thënë ish-futbollisti i njohur çek.
Te Sparta Rrahmani e gjen edhe Ermal Krasniqin, me të cilin kishin qenë bashkëlojtarë tek Ballkani po edhe në Rumani.