Spanja mposht Francën në një ndeshje të ‘çmendur’, prek finalen e Evropianit

Spanja mposht Francën në një ndeshje të ‘çmendur’, prek finalen e Evropianit

Kombëtarja e Spanjës është kualifikuar në finalen e Kampionatit Evropian “Euro 2024”, me një fitore të ngushtë ndaj Francës.

Gjysmëfinalja ishte mahnitëse nga fillimi me lojë agresive nga dy kombëtaret, por që epilogu përfundimtar doli të jetë 2:1.

Franca e nisi shumë më mirë, duke kaluar në epërsi pas vetëm nëntë minutave lojë përmes Randal Kolo Muani, që realizoi me kokë pas një harkimi të Kylian Mbappes (9’).

Pas kësaj, Spanja mori krejtësisht lojën në dorë duke zhvilluar lojë më të bukur. Talenti i Barcelonës Lamine Yamal lëshoi një “raketë” nga distanca për ta barazuar rezultatin (21’).

Kurse, vetëm katër minuta më vonë – Dani Olmo e përmbysi epërsinë me një goditje fantastike pas një topi të kthyer (25’).

Pjesa e dytë ishte mjaftë interesante gjithashtu, por që asnjëra nga kombëtaret nuk i konkretizoi aksionet. Franca kishte rastet më të mira, siç ishte me Ousmane Dembele që ishte afër të shënonte një supergol por Unai Simon bëri një pritje.

Edhe Mbappe rrezikoi sërish në fund, por që goditja e tij shkoi mbi traversë.

Kësisoj, Spanja bëhet kombëtarja e parë që kualifikohet në finale ndërsa kundërshtarin do ta mësojë nesër, pra mes Anglisë dhe Holandës.

Finalja e “Euro 2024” do të zhvillohet më 14 korrik.

Share This