
Sot tentimi i dhjetë për konstituimin e Kuvendit
Sot në orën 10:00 deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish në sallën e këtij institucioni në tentimin e dhjetë për konstituimin e legjislaturës së nëntë.
Ashtu sikurse në nëntë përpjekjet e kaluara, edhe kësaj radhe njohësit e politikës nuk presin ndonjë lëvizje pozitive drejt konsolidimit të Kuvendit, duke i parë qëndrimet e partive.
Kandidatja për kryekuvendare nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu deri më tash nuk ka arritur të marrë votat e nevojshme të deputetëve për t’u ulur në karrigen kryesore të këtij institucioni.
Në përpjekjen e nëntë, Lëvizja Vetëvendosje propozoi që votimi të bëhet në mënyrë të fshehtë, por ky propozim u atakua nga partitë e tjera, të cilat e vlerësuan një tentim të tillë si shkelje të rregullores së Kuvendit dhe si rrjedhojë seanca u ndërpre për të vazhduar pas 48 orëve, ashtu siç e parasheh Kushtetuta e vendit, raporton rtk.