Sot përpjekje tjetër për konstituimin e Kuvendit

Sot përpjekje tjetër për konstituimin e Kuvendit

Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës me fillim në ora 10:00 do të mblidhen sërish sot për të vazhduar punimet e seancës konstituive të Legjislaturës së nëntë.

Ndryshe të hënën duke proceduar me rendin e ditës, kryesuesi i seancës, deputeti Avni Dehari, kërkoi serish nga subjektet politike që nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, me votim të fshehtë (PDK, LDK, Lista serbe dhe AAK-Nisma), që ta bëjnë këtë. Nga subjektet e lartpërmendura nuk u deklarua askush.

Më pas përbërja e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, u hodh në votim.

“56 deputetë kanë dhënë votën për, një kundër, abstenim nuk ka. Nuk kemi pasur kuorum serish. Shihemi më 7 maj, në orën 10:00”, tha kryesuesi Dehari.

Nga zhvillimet tjera kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, i dërgoi një letër, kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në të cilën ka kërkuar koalicion qeverisës.

Kurse Lidhja Demokratike e Kosovës ka propozuar qeveri të tranzicionit me të gjitha partitë shqiptare. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dje në një konferencë për media ka bërë të ditur se partia e tij nuk e pranon ftesën e Lëvizjes Vetëvendosje për koalicion. Njëherësh, ai tha se bashkëpunimi mes këtyre dy subjekteve është i pamundur, raporton rtk.

Share This