Sot grumbullohen Dardanët
Kombëtarja A e Kosovës në hendboll (meshkujt) grumbullohet sonte për dy ndeshjet me Britaninë e Madhe.
Stërvitja e parë është të enjten prej orës 10:00 në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Stërvitja e dytë është po të enjten prej orës 17:00 në palestrën e njëjtë. Të premten zhvillohet një stërvitje në Prishtinë, ndërsa prej orës 17:00 është ndeshja përgatitore me Emiratet e Bashkuara Arabe. Kjo ndeshje kontrolluese zhvillohet në Shkup, përkatësisht në palestrën “Jane Sandanski”.
Miqësorja e dytë me Emiratet e Bashkuara Arabe është të shtunën prej orës 17:00.
Ndeshja e parë me Britaninë e Madhe luhet të mërkurën, më 10 janar, nga ora 20:30 në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, derisa sfida e dytë zhvillohet më 13 janar në Derby nga ora 14:00.
Ndeshjet me Britaninë e Madhe i takojnë raundit promovues të kualifikimeve për Euro 2026. Kombëtarja më e mirë pas dy ndeshjeve avancon në kualifikimet e rregullta.
Kombëtarja jonë synon që ta kalojë Britaninë e Madhe dhe të paraqitet në kualifikimet e rregullta, aty edhe ku vlerësohet se e ka vendin.