
Sonte Kosovë-Islandë, Dardanët duan fitore
Kombëtarja e Kosovës në futboll, sonte në ‘Fadil Vokrri’ do të përballet me Islandën.
Dardanët dhe islandezët do të ballafaqohen në ndeshjen e parë të ‘Play-off-it’ në Ligën e Kombeve, ndeshje që do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK.
Kjo sfidë e cila parashikohet të luhet në një atmosferë fantastike në ‘Fadil Vokrri’, është duel tejet i rëndësishëm për të dy kombëtaret në garën për promovim në Ligën B të Ligës së Kombeve.
Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës në futboll, Franco Foda, është shprehur i bindur se të besuarit e tij, do të bëjnë paraqitje të mirë në duel me Islandën.
“Atmosfera në skuadër është e mirë. Amir Rrahmani dhe Valon Berisha dje kanë stërvitur të diferencuar nga grupi, por shpresojmë se do të jenë të gatshëm për nesër. Islanda ka lojtar individualisht, por ne do të bëjmë lojën tonë. Duhet të kemi shpirt luftarak në këto dy ndeshje”, ka thënë Foda.
Ndeshja Kosovë-Islandë fillon në orën 20 e 45.