Sokoli i bashkohet Vetëvendosjes, Drenica e largon nga pozita e trajnerit
Bylbyl Sokoli nuk është më trajner i KF Drenicës.
Klubi nga Skenderaj përmes një njoftimi, ka bërë më dije se e ka liruar Bylbyl Sokolin nga pozita e kryetrajnerit të këtij klubi.
Sipas këtij njoftimi, Drenica këtë vendim e ka marrë pasi, Sokoli ka vendosur t’i hyjë garës për deputet me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Ky vendim është marrë pas njoftimit të z. Sokoli, i cili ka vendosur të angazhohet në garën politike. Vendimi është rezultat i angazhimit të klubit për të ruajtur paanësinë dhe për të shmangur çdo ndikim të mundshëm politik në aktivitetet tona sportive. Klubi Futbollistik Drenica mbetet i vendosur që sporti të qëndrojë i ndarë nga politika ditore, dhe ky hap vjen në përputhje me parimet tona”, thuhet në njoftimin e Drenicës.
Njoftimi i plotë i KF Drenicës:
Lirimi nga detyra i trajnerit të Klubit Futbollistik Drenica
Të nderuar qytetarë dhe tifozë të Klubit Futbollistik Drenica,
Me anë të këtij njoftimi, dëshirojmë t’ju informojmë se, më datë 11.12.2024, trajneri i Klubit Futbollistik Drenica, z. Bylbyl Sokoli, është liruar nga detyra. Ky vendim është marrë pas njoftimit të z. Sokoli, i cili ka vendosur të angazhohet në garën politike.
Vendimi është rezultat i angazhimit të klubit për të ruajtur paanësinë dhe për të shmangur çdo ndikim të mundshëm politik në aktivitetet tona sportive. Klubi Futbollistik Drenica mbetet i vendosur që sporti të qëndrojë i ndarë nga politika ditore, dhe ky hap vjen në përputhje me parimet tona.
Ne duam të falënderojmë z. Sokoli për përkushtimin e tij dhe për sukseset që ka arritur gjatë periudhës së bashkëpunimit.
Në ditët dhe javët në vijim, Klubi Futbollistik Drenica do të njoftojë për emrin e trajnerit të ri, i cili do të vazhdojë udhëheqjen e ekipit në rrugëtimin drejt titullit të kampionit të Ligës së Parë.
Faleminderit për mbështetjen dhe besimin tuaj të vazhdueshëm!
Klubi Futbollistik Drenica