Slloveni Vinçiç gjykon finalen Dortmund-Real
Pak orë para finales së madhe në Ligën e Kampionëve, ndërmjet Borussia Dortmund-Real Madrid, UEFA ka vendosur për njeriun që do të ndajë drejtësinë në këtë ndeshje të madhe.
Dortmund dhe Real do të përplasen sonte në ‘Wembley’ të Londrës, në sfidën më të madhe të këtij sezoni në elitën e futbollit evropian.
Shtëpia më e madhe e futbollit evropian, finalen mes skuadrës gjermane dhe asaj spanjolle, i ka besuar arbitrit slloven Slavko Vinçiç.
44-vjeçari, një arbitër ndërkombëtar që nga viti 2010, do të gjykojë finalen e tij të dytë të garës së UEFA pas Europa League në vitin 2022, mes Eintracht Frankfurt dhe Rangers.
Arbitri slloven ka gjykuar shtatë ndeshje në Ligën e Kampionëve përfshirë edhe sfidën e çerekfinales mes Dortmundit dhe Atletico Madridit dhe ndeshjen e dytë të raundit të 1/8-ave mes Bayernit dhe Lazios.
Finalja Borussia Dortmund-Real Madrid fillon në orën 21:00.