Skuadra modeste e Andorrës e eliminon Ballkanin nga Championsi

Skuadra modeste e Andorrës e eliminon Ballkanin nga Championsi

Klubi modest i Andorrës UE Santa Coloma ka bërë befasinë duke eliminuar kampionin e Kosovës FC Ballkanin nga Liga e Kampionëve.

Klubi kosovar kishte epërsinë nga ndeshja e parë me rezultat 2:1, por që nuk e ruajtën, duke humbur 1:2 në kohën e rregullt, e pastaj dështuan në penallti (6:5).

Ballkani ishte shumë më e mirë gjatë tërë kohës pavarësisht që ishin me një lojtar më pak pasi përforcimi i verës Sunday Adetunji mori kartonin e dytë të verdhë, duke u përjashtuar nga fusha.

Adetunji kishte një rast të mirë shënimi pas vetëm gjashtë minutave lojë, por dështoi përballë portierit pas një pasimi fantastik të Tolajt.

Rast tjetër të mirë kishte edhe Almir Kryeziu, pavarësisht që dribloi në mënyrë fantastike, nuk arriti të shënonte nga gjashtë metra distancë.

Pjesa e dytë ishte më e barabartë. Santa Coloma rrezikoi me anë të Salah dhe Cifuentes mirëpo Koliçi doli të jetë gjithnjë në vendin e duhur për të mos lejuar befasi.

Kur askush s’e priste, Walid Hamidi shënoi autogol pas harkimit nga këndi të Mohedanos (90+2’) për ta dërguar ndeshjen në vazhdime.

Klubi nga Andorra vazhdoi të bëjë befasinë, duke e përmbysur epërsinë me anë të De Jesus pas asistimit të Dacut (102’).

Megjithatë, Ballkani u këndell duke e barazuar rezultatin përmes Hamidit, që shënoi një gol të bukur për ta përmirësuar gabimin (109’).

Meqenëse s’kishte fitore as në kohën e rregullt, fituesi u përcaktua në penallti – ku Santa Coloma shënoi fitore me rezultat 6:5 për të avancuar tutje.

Kësisoj, Ballkani do ta vazhdojë rrugëtimin në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Share This