“Skuadra është gjallë”, Guardiola: Rodri në stol edhe ndaj Realit!
Manchester City nuk gaboi në “Etihad Stadium” përballë Luton në ndeshjen e javës së 32 të Premier League.
“The Citizens”, triumfuan me shifat 5-1 dhe në pritje të Liverpool e Arsenal, ngjiten përkohësisht në krye të kampionatit. Pas kësaj sfide, trajneri Pep Guardiola lavdëroi futbollistët e tij ndërsa theksoi se të mërkurën ndaj Real Madrid në Champions League, do të japin gjithçka për të siguruar një biletë për në gjysmëfinale.
“Kjo skuadër është gjallë. Ishte një ndeshje jo e lehtë, në pjesën e parë gabuam shumë raste. Nuk më pëlqen pasi kam parë shpesh në futboll që nuk fiton gjithnjë skuadra më e mirë. Ndaj Realit, së bashku me tifozerinë tonë, do të japim gjithçka. Le të ndodhë çfarë të ndodhë, por nuk do të ketë një minutë të lojës që nuk do të jemi në maksimum. Duhet të tregohemi të përulur dhe të uritur, duam të shkojmë në gjysmëfinale.
E kam folur me lojtarët dhe e dimë sa e mrekullueshme është të jemi në këtë situatë. Në garë në Premier League, Champions League, kemi dhe shansin për të shkuar në finalen e FA Cup. Do të tentojmë që të gjitha këto kompeticione t’i shtyjmë të paktën edhe për një javë. Në Premier League e dimë mirë se në rast se lëshojmë pikë, atëherë nuk kemi më shanse për titullin.
Rodri pushim në kampionat? Mendoj se Rodri do të jetë në stol edhe ndaj Real Madrid, besojeni ose jo”, tha Guardiola duke qeshur. /SS/