Skocezët thumbojnë Grezdën: Djali i keq tani i papunë
Të gjithë e mbajmë mend kalimin e Eros Grezdës te Rangers në vitin 2020 për shifrën dy milionë euro, por në klubin skocez gjakovari nuk arriti të lërë shenjë.
Mediet skoceze e kanë rikthyer edhe një herë Grezdën në kujtesë, duke e etiketuar si një lojtar që la vetëm shenja për probleme disiplinore.
“The Scottish Sun” kthehet të shkruajë për Grezdën, ku nënvizon se më së shumti gjakovari mbahet mend për një gjobë të vendosur nga ish-trajneri Steven Gerrard.
“Djali i keq i Rangersit, që u gjobit në trafik dhe për pështymë ndaj kundërshtarit, tani është i papunë”, shkruan media skoceze, që duket sikur ka ende “mllef” me gjakovarin. Në kohën kur luante me Rangersin, Grezda mori një gjobë të majme për shkak se pështyu një kundërshtar në një miqësore mes Rangers B dhe Irlandës së Veriut. Gjithashtu, ai pati një ndëshkim shembullor edhe për shkak të mungesës së dokumentacionit të makinës.
Një tjetër moment i nxehtë për Grezdën ishte në Kroaci tek Osijeku, ku ai u përlesh me njërin prej kundërshtarëve në tunel.
Media skoceze shkruan se Grezda ka ndërruar disa klube dhe se tashmë është i martuar dhe me fëmijë.
Pavarësisht prej kësaj, në Shqipëri gjakovari mbahet mend edhe për kohën e tij në Kombëtare dhe periudhën e artë.